Bota

Ekspozoi sekretet e luftës në Ukrainë, dënohet ushtaraku amerikan!

Një gjykatëse federale dënoi një anëtar të Gardës Kombëtare Ajrore të Masaçusetsit me 15 vite burg pasi ai pranoi fajësinë për nxjerrjen e dokumenteve ushtarake tepër sekrete në lidhje me luftën në Ukrainë. Në fillim të këtij viti, Jack Teixeira deklaroi se është fajtor për gjashtë akuza sipas Aktit të Spiunazhit, lidhur me mbajtjen dhe transmetimin e qëllimshëm të informacionit lidhur me mbrojtjen kombëtare, pas arrestimit të tij. Kjo në kuadër të çështjes më të rëndësishme hetimore në vite, për sigurinë kombëtare.

I paraqitur në gjykatë me uniformën ngjyrë portokalli të burgut, ai nuk shfaqi ndonjë reagim të dukshëm teksa i jepej dënimi nga gjykatësja e qarkut Indira Talwani. Përpara se të dënohej, kërkoi falje për veprimet e tij.

Dua të them se më vjen keq për të gjithë dëmin që solla e shkaktova. E kuptoj se e gjithë përgjegjësia dhe pasojat bien vetëm mbi supet e mia e pranoj çdo gjë që do të sjellë si pasojë.

Më pas, Teixeira përqafoi njërin nga avokatët, pa nga familja e tij dhe buzëqeshi përpara se të dilte jashtë gjykatës. Shkelja e sigurisë ngriti alarmin mbi aftësinë e Amerikës për të mbrojtur sekretet e saj më të rëndësishme dhe e detyroi administratën e presidentit Biden të përpiqet të frenojë pasojat diplomatike e ato ushtarake.

Informacioni i dalë turpëroi Pentagonin, i cili forcoi kontrollet për të mbrojtur informacionin e klasifikuar dhe mori masa ndëshkimore ndaj personave që u zbulua se nuk kishin ndërmarrë qëllimisht veprimet e nevojshme për sjelljen e dyshimtë të Teixeira-s. Me origjinë nga North Dighton i Masaçusetsit, ai pranoi fajësinë në muajin mars për gjashtë akuza në lidhje me mbajtjen dhe transmetimin e qëllimshëm të informacionit të mbrojtjes kombëtare, sipas Aktit të Spiunazhit. Kjo erdhi gati një vit pasi u arrestua për rrjedhjen më të rëndësishme të të dhënave të sigurisë kombëtare në vite.

Teixeira punonte si specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që në thelb është një specialist i teknologjisë së informacionit, përgjegjës për rrjetet e komunikimit ushtarak. Fillimisht, ai riprodhonte dokumentet e klasifikuara ku kishte akses. Më pas shpërndau foto të dosjeve që mbanin shenja SEKRET e TEPER SEKRET.

Nxjerrja e këtyre të dhënave i ekspozoi botës vlerësimet sekrete për luftën e Rusisë në Ukrainë, përfshirë informacionin për lëvizjet e forcave në Ukrainë dhe sigurimin e furnizimeve e pajisjeve për njësitë ukrainase.