I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë piktori Gazmend Leka për të folur më shumë mbi ekspozitën e tij “Viti 0”. Ja çfarë ka ai për të thënë mbi veprat e ekspozuara dhe mesazhin që dëshiron të përcjellë…
Shqipëria është shumë e vjetër si komb, si shtet është shumë i ri. E përsëris disa herë që të kemi kujdes, se Shqipërisë i merren kollaj këmbët. Shqipëria ndonjëherë bëhet si e dehur. Duket sikur nuk i ka themelet në shkëmb, por i ka në rërë, dhe ato lëvizjet e rërës bëjnë që të gremiset po ta teprosh shumë. Mua nuk ma ha mendja që kjo ka për t’u tepruar shumë. Për mua kjo është paradhoma e luftës civile. Në këtë kuptim doja të thoja që kini kujdes, mos e teproni. Kur kam qenë i ri, më kanë pyetur në një gazetë, kam thënë një shprehje ku të gjithë këto ekspozita që unë kam bërë janë alibi e asaj shprehje. Nuk kam gabuar fare, kam qenë snajper. Kam thënë: Shqipëria është një plakë e vjetër, e stërvjetër, me menstruacione shumë të rregullta!