Në qendër të Durrësit kohët e fundit janë përuruar disa muze-eksponate, që i bëjnë jehonë jetës qytetare shekullit të kaluar. Nismat janë ndërmarrë privatisht nga disa zonja intelektuale, banore në qytetin antik, të cilat me risitë që sjellin, po plotësojnë gjithashtu edhe mungesën e përkohshme të dy muzeve kryesorë zyrtarë në Durrës.
Pedagoget e Universitetit Aleksandër Moisiu, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku tre javë më parë hapën dyert e ekspozitës “Turistë të përgjuar”, një përmasë turistike krejt e re për vizitorët vendas dhe të huaj në qytetin antik. Në banesën dhe oborri që zonja Albina Mima ka vënë në dispozicion të ekspozitës-muze, nuk mungon asgjë nga e djeshmja e një familjeje shqiptare, por një pjesë të madhe të elementeve muzealë e zënë dokumentet e turizmit shqiptar 1950-1980, pa harruar regjistruesit magnetofonë deri të “çimkat” përgjuese gjatë periudhës së komunizmit.
Brunilda Liçaj, ideatore e kësaj ekspozite, tha për BIRN se “individët dhe grupet e para të turistëve filluan të vijnë në Shqipëri në vitin 1958 në një numër të kufizuar. Më vonë pjesëmarrja e ndërmarrjes shtetërore ”Albturist” në panaire promovuese europiane e shtoi numrin e tyre”. Brunilda, e cila i ka kushtuar më shumë se një 10-vjeçar dokumentimit të kësaj teme, shton se numri më i lartë i turistëve gjatë periudhës komuniste shënohet në vitet ’84-‘85, kur brenda vitit në vendin tonë mbërritën rreth 15.300 të huaj, 5-6 përqind e të cilëve janë përgjuar me intensitet nga organet e Sigurimit, kryesisht në hotelet ku qëndronin”.
Arjana Isaku, pedagoge në Universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit, njëlloj me Brunildën, ka një përvojë 20-vjeçare në fushën e turizmit. Kjo e ka ndihmuar frekuentimin ditor nga turistët e huaj të Ekspozitës së hapur pak metra pas godinës së Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Një vendstrehim të ndërtuar nga shteti në fillimin e viteve ’70 zonjat e kanë kthyer në një hapësirë projektimi videosh. Vizitorët e fundit ishin një grup i madh me turistë nga Polonia.
Pastrimi i këtij bunkeri nëntokësor ka vazhduar më shumë se dy muaj.
Në këtë hapësire vizitorët ndalen më gjatë dhe ndjekin një dokumentar televiziv rreth 20 minuta. Bashkë me të dhënat e detajuara, të nxjerra nga dokumentet e këtij sektori në filmin dokumentar dëgjohen edhe dëshmitë e udhërrëfyesve turistikë të viteve ’70 – ’80, “edhe ata shpesh herë të survejuar njëlloj nga Sigurimi”, ndërkohë Brunilda qeras vizitorët e huaj me gliko.