Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit mund të sjellë shumë përfitime në aspektin e shëndetit fizik dhe mendor. Duke respektuar agjërimin gjatë ditës, trupi merr pushim nga tretja e vazhdueshme, gjë që mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit metabolik dhe promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. Një studim amerikan thotë se ciklet e agjërimit të zgjatur jo vetëm që mbrojnë nga dëmtimi i sistemit imunitar një efekt anësor kryesor i kimioterapisë por gjithashtu nxisin rigjenerimin e sistemit imunitar, duke i zhvendosur qelizat burimore nga një gjendje e fjetur në një gjendje të vetë-rinovimit.
Ndërkaq, kur hani një vakt të bollshëm dhe sidomos në Ramazan kur keni agjëruar tërë ditën, mund të ndieni një fryrje të tmerrshme në stomak. Fryrja e stomakut mund të jetë ndonjëherë krejtësisht normale dhe e shëndetshme, por ndonjëherë mund të jetë e pakëndshme. Ushqimi ka nevojë për ujë për t’u tretur. Sa më shumë që hamë, aq më shumë ujë na nevojitet për tretje.
Pas muajit të shenjtë të agjërimit dhe festës në tryezën e madhe të Bajramit, vjen një kohë tjetër. Sipas mjekëve, duhet të keni kujdes me dietën menjëherë pas muajit të Ramazanit. Drejtori i Shëndetit Publik në Samsun, Turqi, Dr. Mustafa Kasapoglu, thekson se konsumi i tepërt i ushqimit pas Ramazanit mund të çojë në shumë probleme shëndetësore që lidhen me stomakun dhe zorrët.
Gjatë Ramazanit, njerëzit ulin sasinë e ushqimit që i japin trupit dhe ngadalësojnë në këtë mënyrë metabolizmin. Gjëja e parë që duhet të bëni është të ndihmoni që metabolizmi të kthehet dalëngadalë në normalitet.
Për të lehtësuar këtë tranzicion të organizmit, ekspertët këshillojnë të hani nga pak, por çdo tri orë. Gjithashtu, konsumi i ujit duhet të rritet, ndërsa konsumi i kafes dhe çajit duhet reduktuar. Meqenëse periudha e Ramazanit është koha kur familjet mblidhen dhe hanë ushqime të bollshme, për të shmangur çdo sëmundje të mundshme, është më mirë të mos kërkoni një pjatë të dytë.