Met Gala është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme e modës së vitit dhe megjithëse pak njerëz marrin ftesë, ata duhet të paguajnë 75,000 dollarë biletën. Met Gala bëhet çdo të hënë të parë të majit dhe me ardhjen e saj çdo herë diskutohet edhe për koston e biletave. Procesi fillon me marrjen e një ftese, nuk mund të blejë kushdo një biletë, edhe nëse janë të gatshëm të shpenzojnë një shumë të konsiderueshme parash.
Biletat individuale për Met Gala-n këtë vit kanë kushtuar 75,000 dollarë, krahasuar me 50,000 dollarë në vitin 2023. Çmimi i tavolinave fillon nga 350,000 dollarë. Shpesh, shtëpitë e modës blejnë tavolina dhe ftojnë personalitete me profil të lartë. Për këtë arsye, edhe yjet më të pasur rrallëherë paguajnë çmimin e plotë për vendet e tyre.
Ndërkaq, ekspertët e modës kanë njoftuar se janë lodhur me pamjet thuajse nudo të VIP-ave. Këtë vit isa nga yjet tronditën botën e modës kur zgjodhën veshje të tejdukshme ose pothuajse të padukshme, duke përfshirë Emily Ratajkowski, Jennifer Lopez, Rita Ora dhe Doja Cat. Disa profesionistë të industrisë së modës nuk janë adhurues të trend-ve të fundit.
Një person vuri në dukje në platformën X se moda ka të bëjë me “të veshurit e rrobave” dhe jo me mungesën e tyre, ndërsa një tjetër tha se yjet po “mbështeten” në vlerën tronditëse të pamjes nudo dhe po “dështonin”. Një blogere e modës shkroi në Twitter, ndërsa ripostoi një foto të pamjes së Jennifer-it se: “Duhet të ndalojmë fustanet e zhveshur me shkëlqim nga Met Gala”.
Një stiliste profesioniste për Broadway e quajtur Alexa shkroi se: ‘Nuk dua të përçmoj se sa punë kërkojnë këto fustane kur bëhen mirë, por e kam lënë pas veshjen lakuriq si koncept. Nuk e di, më quani të çmendur, por pse të shkoni lakuriq në Met Gala?”. Vitin e kaluar, Met Gala grumbulloi rreth 22 milionë dollarë.
Pjesëmarrësit së pari ecin nëpër tapetin e kuq në veshje të planifikuara me kujdes në përputhje me kodin e veshjes dhe temën. Pas mbërritjes në muze, fillon me një orë koktejlesh. Gjatë kësaj ore, të ftuarit kanë rastin të shohin ekspozitën në muze dhe më pas ndjekin një darkë festive. Performancat e befasishme gjithashtu janë të zakonshme gjatë mbajtjes së këtij eventi.