Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio Jona Hasija, regjisorja e emisionit “Më lër të flas” me protagonistë vëllezërit Veshaj. Emisioni nis nesër në orën 21:00 në Top Channel. Si ka qenë kjo eksperiencë për Jonën, të punojë me dy nga vëllezërit më të famshëm në Shqipëri për momentin?
Kam qenë regjisore e emisioneve shumë serioze, por kjo është një eksperiencë komplet tjetër. Gjithçka është gati, do të veprojmë, do të kërcejmë, do të themi batuta, do të nxjerrim gjëra të reja nga të ftuarit. Ka larmishmëri. Është një studio shumë e bukur, do të fillojmë më intervistat, skeçet dhe ka shumë gjëra që mendoj që në këtë kohë pak stresante, në një kohë ku ka luftë dhe probleme sociale duhet një emision që njerëzit të kënaqen. Mezi po presim daljen e këtyre dy vëllezërve çapkën. Njëri nga binjakët ka qenë i ftuar ditën e djeshme te emisioni “Goca dhe Gra” dhe në emrat e regjisorëve të emisionit më ka përmendur edhe mua. Më kanë ardhur mesazhe nga të gjithë grupmoshat. Madje edhe shoqëria ime më thanë: “Ua do të jesh regjisorja e Donaldit, po si është Donaldi?”. Kam punuar me të gjithë politikën por impakti që kam marrë nga dje-sot ka qenë “wow”. Audienca ka filluar që tek stafi, në të gjitha mbledhjet tona jemi në një harmoni të plotë dhe e njëjta gjë do të përcillet edhe në publik.
Si është të bësh emision me Donaldin dhe Romeon?
E qeshura nga seriozja me ta është kaq e vështirë të ndahet. Që në javën e parë u ndje energjia. Romeo të jep idenë e një çuni më serioz, mundohet të jetë më pak i qeshur. Me Donaldin pret batuta. Të dy bashkë bëjnë atë pazëllin e binjakëve.
Si është qasja e programit? Për më shumë Jona na thotë:
Do të ketë të ftuar, do të ketë publik, madje kanë filluar që tani, nga rrjetet sociale, sepse ne kemi faqen tonë të emisionit në Instagram dhe kanë nisur me mesazhe që kërkojnë të jenë pjesë e publikut. Mendoj që tek emisioni i parë do të jemi më të kujdesshëm por tek të tjerat do të veprohet ndryshe, do të ketë publik. Të gjithë kanë të ftuar por ideja është të bësh intervista ndryshe. Intervistat do të jenë “Alla Romeo, Alla Donald”. Uroj që të ftuarit ta zhveshin atë pallton e seriozitetit. Do të ketë lojëra, xhirime jashtë dhe do jenë të stilit filmik, si një mini film.