E ftuar sot në studio për emisionin “Live From Tirana” ishte këngëtarja Kejsi Tola, e cila njihet si një nga artistet me zërin më të mirë dhe për këngët e saj shumë të bukura të dashurisë. Së fundmi, ajo ka publikuar albumin e saj të ri titulluar “Luminous”, i cili përmban pesë këngë të shkruara në gjuhën angleze. Në lidhje për realizimin dhe konkretizimin e këtyre projekteve, Kejsi ka vendosur të ndajë me ne nga një përshkrim të vogël për disa nga këngët e albumit, si më poshtë:
Do Me Like That
Është krijuar në kampin e parë në Paris. Është një këngë shumë e dashur dhe është një nga ato këngët që më ka goditur që në fillim dhe është e vetmja që ka ‘mbijetuar nga ai kamp’, sepse janë shkruar shumë këngë dhe vetëm kjo është zgjedhur. Ka një tekst pak të ndërlikuar dhe me një histori, por mua më jep gëzim edhe pse teksti nuk është aq i gëzueshëm.
One Night In Barcelona
Ka shumë persona që e komentojnë këtë këngë. Fansat e Eurovision-it kanë një vizion tjetër për mua ndryshe nga publiku në Shqipëri, pasi më kanë parë të këndoj balada më shumë. Ndërsa e vetmja këngë që kam kënduar për ta është “Carry Me In Your Dreams” dhe është një këngë ritmike, që unë kam kërcyer aty. Sa herë që shkoj në festa, ata e kërcejnë këngën dhe i dijnë të gjitha fjalët. Dhe gjithmonë më kanë kërkuar një rikthim. Kjo këngë është e kapshme, komerciale dhe është edhe Barcelona aty brenda që të gjithë ‘vdesin’ për Barcelonën. Kam dëshirë t’i bëj një videoklip, ndoshta do të jetë kjo.
Distraction
Edhe kjo këngë është shkruajtur në kampin e studios në Barcelonë. Na ka ngritur të gjithëve. Është kënga më ritmike e albumit. Ka një gëzim më vete. Studioja aty ishte një tjetër ndjesi, koridor i mbushur me foto të këngëtarëve që kanë regjistruar aty. Ata njerëz ishin aq puntorë, aq humanë. Eksperiencë fantastike.