E ftuar në emisionin e sotëm të “Big Brother Radio” ka qenë producentja e njohur e Top Channel, Ledja Liku, për të diskutuar më shumë rreth ngjarjeve të ndodhura gjatë orëve të fundit në shtëpinë më të njohur.
Me qindra programacione të realizuara ndër vite, ku mund të përmendim këtu “Top Talent”, “Kandidati”, “Oferta më e mirë”, “Timon”, etj dhe së fundmi ajo do të sjellë në ekranet tona një tjetër realizim të suksesshëm. Bëhet fjalë për emisionin “Yjet Shqiptarë të Diasporës”.
Ja se çfarë zbuloi ajo më shumë:
Unë do të zbuloj shumë pak, sepse do të jetë Ilir Shaqiri që do t’ju zbulojë më shumë në një intervistë ekskluzive që do të japë në Top Channel. Do të jetë shumë shpejt. Unë po zbuloj që Iliri do të jetë në krye të projektit. Pra për herë të parë në emisionin tonë po zbuloj se Iliri nuk do të jetë vetëm anëtar jurie, por është edhe ideatori i projektit. Është një projekt shumë i madh që ka nisur në muajin dhjetor. Unë jam shumë falënderuese dhe takimin e parë e kam bërë me Ledion Liçon që ma ka propozuar si ide të Ilirit për ta zhvilluar dhe për ta relizuar. Dhe jam shumë falënderuese, sepse unë i kam shumë qejf këto show-t që janë me talente. Duke qenë se kam pasur edhe një eksperiencë me emsionin “Diaspora”, ku kam pasur rreth 145 intervista me shqiptarë të suksesshëm në Diasporë, për mua tani është një dimension tjetër. Pra të zbulosh talente, të cilat i përkasin fushave të ndryshme nga muzika, nga baleti, nga cirku, nga të gjitha artet e ndryshme, të cilët ne do t’i zbulojmë në disa qytete të Europës, por mund të jetë edhe Amerika. Domethënë është në planet tona. Ne jemi duke e zhvilluar të gjithë projektin për të shkuar dhe për të realizuar fazën e parë të projektit në Itali, në Gjermani, në Zvicër, pra ku ka shqiptarë.
Më tej, ajo shtoi:
Është një projekt gjigand, ku siç të thashë ne kemi filluar punën në tavolinë që prej muajit dhjetor. Jemi duke punuar ndërkohë me disa ambasada, me Ministrinë e Jashtme. Është shumë e vështirë, pasi ne shkojmë në një terren që nuk e njohim. Pra nëse ne shkojmë të xhirojmë në Milano do të kemi një pjesë të stafit shqiptar, por do të suportosh edhe stafin italian. Do të jetë një bashkëpunim edhe me Ilirin, i cili ka shumë njohje në pjesën e Italisë, por pastaj edhe me bashkëpuntorë të shumtë që mund të jenë në Zvicër, në Gjermani dhe në shtete të tjera që ne do të shkojmë e do të xhirojmë fazën e parë.