I ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Pardon My French” ka qenë Armand Duka nëpërmjet një lidhjeje telefonike. Ai është Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, pozicion që ai e mban që nga viti 2002, duke kontribuar në rritjen e profesionalizmin e këtij ekipit kombëtar.
A mendonte zoti Duka se do ta çonte Shqipërinë dy herë në Europian në momentin kur u zgjodh president për herë të parë?
Në fakt, kanë qenë vite të vështira. Kanë qenë organizime ndryshe dhe me më pak pretendime në atë kohë. Por vit pas viti fillova që ta kem si objektiv. Në ato vitet e para quhej ëndërr. Më pas objektiv dhe objektivi u realizua. Jam vërtet i lumtur për këtë. Në momentin që do të humbim ndonjë ndeshje ose nuk do të shkojmë në ndonjë turne në europian ose në botëror atëherë do të jetë zhgënjim, por më mirë që të kemi zhgënjime të tilla. Më mirë të kesh pritshmëri të larta, sepse nuk ke objektiva është e vështirë t’i arrish.
Sipas tij, a solli Sylvinho një frymë ndryshe dhe më pozitive në grup?
Absolutisht që po. Drejtuesi e regjisori është trajneri, ai që e krijon klimën në skuadër. Kjo është shumë e rëndësishme për klimën brenda, siç thatë edhe ju. Por më e rëndësishme është edhe klima e jashtme me mbështetjen e të gjithëve, tifozëve. Atë e kemi forcë më shumë. Ishim të gjithë në një krah. Nuk është se kishim forca tërheqëse nga krahu tjetër. Sylvinho nuk është se e kam bindur unë, por më ka bindur ai mua me dëshirën, projektin që kishte dhe urinë për sukses, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Dhe ai e kishte këtë uri dhe e realizoi.
Si ka ndryshuar FSHF gjatë këtyre viteve në sytë ndërkombëtare të futbollit?
Ndryshimi është i madh. Është shumë i madh. Përfaqësimi ynë në Europë ka qenë inekzistent. Një pjesë e mirë e komunitetit ekzekutiv e administatës së federatës janë pjesë e organeve drejtuese apozyrtare të UEFA-s, sepse kështu është struktura organizative e saj. Nuk mund të jesh i zgjedhur në këto institucione europiane nëse nuk ke bërë diçka në shtëpinë tënde. Të gjithë ato që të mbështesin shohin se çfarë ke realizuar në vendin tënd. Kështu që i kanë vlerësuar këto zhvillime dhe rrugëtimin e futbollit shqiptar që të mbështesin me pritshmëri që mund të kontribuosh edhe në atë europian.
Sipas zërave, thuhet se FSHF ka marrë rreth 9 milionë euro nga kualifikimi deri më tani. A është e saktë kjo shifër? Ja si shprehet Armand Duka:
Në fakt, nuk e kam konfirmuar asnjëherë se çfarë ka marrë federata nga europiani, por për detyrimin që kam për Elonën, mund të them që kemi marrë 9.25 milionë euro.