Dilema Sociale Politikë

Ekskluzive/Ori Nebijaj: “Më pëlqen që jam e 18-ta në listë, njerëzit nuk do të më votojnë se kam dalë në ekran”

Për herë të parë në një rrëfim ekskluziv për “Dilema Sociale” në Top Albania Radio, Ori Nebijaj rrëfeu për herë të parë pranë kolegut të saj Eno Popi, për kandidaturën si deputete e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Ishte vërtetë surprizuese kur u mësua se prezantuesja jonë e cila na shoqëron çdo mëngjes në “Wake Up”, tashmë është në listën e të djathtëve si kandidate për deputete. Gjatë intervistës së saj ajo tha se edhe vetë ashtu si çdo shqiptar ka qenë skeptike për politikën shqiptare.

Sidomos të rinjtë, që janë pika kyçe e tij, janë gjithmonë në mëdyshje për mënyrën se si politikanët tani bëjnë politikë, qofshin ata të majtë apo të djathtë. Në rrugëtimin e saj të ri, Ori u shpreh se ka bindjen që politika jonë, gjithashtu dhe me përfshirjen e rinisë në të, do të vijë pa dyshim drejt përmirësimit, megjithëse rruga drejt saj është e vështirë dhe përpara shfaqen pengesa të mëdha.

Nëse nuk shkojmë ne në politikë, kush do të shkojë? Edhe unë kam qenë skeptike dhe e mërzitur për shumëçka ka ndodhur mes partive politike. Nuk është çështja a bëhem unë deputete apo jo, çështja është që gjendja jonë të përmirësohet. Askujt nuk i duhet kopja dhe çdokush që hyn në politikë nuk duhet të jetë kopje e dikujt tjetër. Të gjithë duhet të jemi ndryshe.

Thënë kjo, Ori shtoi se është shumë e lumtur që renditet e 18-ta në listë, kjo sepse e lidh me të gjithë 18-vjeçarët që do të votojnë për herë të parë. Gjithashtu, moderatorja e “Wake Up” u shpreh se njerëzit nuk do të votojnë për Orin që del në ekran, por do të votojnë Orin e cila i ka hyrë këtij rrugëtimi të ri me dëshirën për të sjellë ndryshimin që i duhet të gjithë të rinjve shqiptarë e jo vetëm.