Celebrities Pardon My French

Ekskluzive/ Çiljeta flet për herë të parë për Sali Berishën dhe se si ja ‘vodhi zemrën’ Lali Eri

Ajo është një ndër artistet më të dashura të publikut shqiptar që në çdo intervistë gjithmonë është shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Siç e mësuat edhe nga titulli, bëhet fjalë për Çiljeta Xhilagën e cila sot u bë pjesë e “Pardon my French” me Jonida Aliçkolli dhe Kejvin Kalo.

Ashtu siç i takon këtij programi radiofonik, këngëtarja rrëfeu detaje të shumta rreth karrierës, jetës familjare, projekteve të reja dhe për atë që është përfolur më së shumti kohët e fundit, politikën. Çiljeta u shpreh se merr komente të shumta nga njerëzit sa i përket përfshirjes në politikë. Por ama, kjo nuk është diçka e re pasi një pjesë e mirë e VIP-ave në të gjithë botën i hyjnë politikës, aq më tepër kur bëhet fjalë për periudhë zgjedhjesh.

Mirëpo, për artisten tonë, situata ka qenë disi më e ndërlikuar. Gjithmonë ajo është njohur për përkrahjen e flaktë të Partisë Demokratike. Ka qenë pjesë e fushatave të shumta krah ish-Kryeministrit Sali Berisha majde ka qenë edhe Anëtare e Këshillit Kombëtar. Ekskluzivisht për TAR, Çiljeta foli për herë të parë për Sali Berishën. Ajo tha se Sali Berisha do të mbetet lideri më i mirë shqiptar, një figurë politike e pazëvendësueshme.

Ajo zbuloi se u bë pjesë e PD-së krejt rastësisht teksa po jepte një intervistë televizive. Asokohe ajo tha se policia i kishte bllokuar makinën e saj tip ‘Audi’. Pavarësisht kësaj ngjarjeje Çiljeta shprehu live në ekran se do të vazhdonte gjithmonë të ishte demokrate dhe bindjet e saj politike nuk do t’i ndryshonte asnjëherë. Duket se Sali Berisha e dëgjoi këtë intervistë dhe e thirri këngëtaren pranë selisë së PD-së nga ku iu dha posti ‘Anëtare e Këshillit Kombëtar’.

Përtej ngjyrave të partisë, përtej bindjeve dhe preferencave poltike ajo është e mendimit se një lider i mirë është i tillë gjithmonë, pavarësisht partistë ku është pozicionuar. Thënë kjo, këngëtarja zbuloi se si ja rrëmbeu zemrën Lali Eri. Për herë të parë ajo është gjendur krah Erion Veliaj për ta mbështetur gjatë fushatës elektorale në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, një veprim që u komentua pa fund në rrjet.

Çiljeta zbuloi për “Pardon My French” se me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës njihet prej vitesh dhe ai është një ndër njerëzit më të mirë e më të dashur që njeh. Këngëtarja theksoi se Erion Veliaj ishte një ndër të vetmit që ka mbështetur artistët, sidomos gjatë muajve të vështirë të pandemisë. Sipas saj, Veliaj është shembulli ideal i një lideri të ardhshëm i cili gjithmonë di si të frymëzojë.