Në episodin e mbrëmjes së kaluar të “Just Dance” në Top Channel, pjesëmarrja e një konkurrenteje 40-vjeçare shkaktoi zhurmë dhe polemika të shumta kudo në rrjet.
Bela, një grua 40-vjeçare e cila gjithmonë ka patur pasion të madh kërcimin, konkurroi nëpërmjet një performance kundrejt të rinjve të tjerë të këtij spektakli ashtu siç e kërkon formati. Edhe pse ajo e kaloi fazën e parë të kërcimit, komentet e Albi Nakos ishin ato që lanë me gojë hapur një publik të tërë.
Koreografi i famshëm përdori krahasime ofenduese dhe komente seksiste e diskriminuese kundrejt Belas duke bërë që publiku të reagonte menjëherë duke kërkuar largimin e tij nga spektakli.
“Për mua është personazh tipik i atyre filmave si “Planeti i Majmunëve”. Mendoj që në vend që të garosh me këta të rinj je në një moshë ku më mirë martohu e bëj fëmijë sesa të vazhdosh kështu.”
Eksklizivisht për Top Albania Radio, Albi zbuloi se çfarë fshihet pas këtyre komenteve të vrazhda. Ai tha se e gjitha ishte e inskenuar kjo për t’i dhënë një mundësi Belës të bëhet e famshme por gjithashtu të krijojë spektakël brenda këtij formati. Nako u shpreh se Belën e njeh prej 20 vitesh dhe ajo punon për të madje ishte ai i cili krijoi koreografinë e saj në “Just Dance” dhe dialogu mes tyre ishte i shkruar fiks si një skript filmash.
Pjesëtari i jurisë të “Just Dance” rrëfeu se nuk e mendoi që kjo situatë do të komentohej kaq shumë në media dhe rrjetet sociale dhe theksoi se një person nuk bëhet i famshëm duke e lavdëruar por duke krijuar situata si kjo për të tërhequr vëmendjen.