Ka bërë bujë të madhe komenti i Albi Nakos kundrejt konkurrentes 40-vjeçare të “Just Dance” në Top Channel pasditen e kaluar. Teksa fjalët e tij u cilësuan jo vetëm të tepruara por seksiste dhe diskriminuese, sot ekskluzivisht për “Live From Tirana” ai zbuloi se e gjitha ishte e inskenuar.
Albi u shpreh se Belën e njeh prej 20 vitesh dhe ishte ai shtysa që ajo të konkurronte në këtë spektakël televiziv. Dialogu mes tyre ishte i shkruar paraprakisht dhe e gjitha ishte për t’i dhënë vëmendje një gruaje me pasion të madh për kërcimin që nuk është promovuar kurrë.
Teksa thotë se nuk e kupton përse kjo situatë u bë kaq e madhe, Albi zbërthen dhe krahasimin që i bëri Belës në lidhje me filmin “Planeti i Majmunëve”.
“Ajo kishte një performancë të ndërtuar nga unë dhe personazhi që solli në këtë fabul ishte fiks si tek filmi “Planeti i Majmunëve”. Po t’i referohemi filmit, majmuni është një kafshë shumë ekzotike dhe një kafshë e dashur, në momentin që ti e cënon mund të bëhet agresive. Filmi në vetvete ka një mesazh shumë të madh dhe në ambientin e spektaklit u mirëprit si reagim por nuk më shkoi kurrë në mendje se do të keqkuptohej kaq shumë nga publiku.”