Einxhel Shkira është rikthyer sërish në ekran pas një periudhe gati 3-vjeçare mungese. Atë e shohim çdo të shtunë në ekranin e Top Channel, në panelin e emisionit “Goca & Gra”. Si është për të ky rikthim dhe eksperienca e saj në këtë emision? Për këtë e shumë të tjera ajo na ka zbuluar vetë më shumë mëngjesin e sotëm, e ftuar në një lidhje Skype për “Wake Up”.
Si është për ty kjo eksperiencë në “Goca & Gra”, pasi rithehesh në ekran pas një periudhe të gjatë?
Kam bërë një pauzë shumë të madhe, jo vetëm si moderatore, por dhe si personazh. Mendova që ky mund të ishte momenti që të rikthehesha. Më është propozuar gjithmonë në fakt për të qenë në “Goca & Gra”, por nuk ka qenë momenti. Edhe këtë vit m’u propozua në fillim, por për arsye familjare nuk pata mundësi të isha. Por kur m’u propozua për herë të dytë, vendosa që ta pranoja. Është diçka që e bëj mirë dhe më pëlqen të flas për ato tema.
Gjithashtu ti njëkohësisht e menaxhon kohën mes emisionit dhe të qenurit një nënë. Si je ti si mami?
Varet, nëse është për çështjen që a jam meraklie, jo. Nuk jam e rreptë, jam tepër e qetë, tepër tolerante. Jam munduar që tani që t’i mësojë gjërat bazë. Kryesisht bashkë me Dagz, kemi të njëjtin stil prindërimi. Është i mbarë, nuk na sjell probleme. Mendoj që kemi bërë një punë të mirë deri tani. Jemi krenarë.
Një deklaratë e jotja në emisionin e shkuar ka bërë shumë bujë dhe ka marrë goxha komente nga ndjekësit: “Kush ka dëshirë të bëhet nënë, ka një orë që bën Tik-Tak”. Çfarë mund të thuash për këtë?
Nuk dua t’i heq as pikën, as presjen asaj deklarate. Por për momentin që e kam bërë atë deklaratë, kam qenë tepër e ngarkuar emocionalisht. Ajo temë më prekte afër. Plot njerëz afër meje janë duke vuajtur mungesën e një fëmije. Dhe ti bëhesh më e prekur nga tema. Për një arsye apo një tjetër, ata e kanë shtyrë për një moshë më të vonë të bërit fëmijë dhe për këtë arsye kam qenë e mbushur. Vura re që një pjesë e komenteve nga njerëzit nuk kanë hyrë ta dëgjojnë të plotë atë që kam dashur të them. Një pjesë ishte irrituar për pjesën e Tik-Tak. Por kur rritesh dhe sheh raste që doktori ia pret shpresat pikërisht për këtë Tik-Tak, zbulojnë se ka qenë i vërtetë. Realiteti ky është. Vitet e fundit ne po e fshehim për të qenë politikisht korrekt nëpër intervista. Unë kam qenë gjithmonë pro krijimit të një familje. Nëse do ishte paralel (karriera me familjen) do ishte perfekte. Për mua pas moshës 25 vjeç, kryesorja do ishte familja. Kam dashur të jem realiste për ato që flasim në tavolina. Ka qenë diçka që më ka gërryer nga brenda. Më shumë përshtypje më kanë bërë mesazhet e djemve, që nuk po krijojnë dot familje, sepse vajzat duan të krijojnë kushtet e veta njëherë. Shumë e drejtë, sepse vijmë nga disa vite ku gratë kanë qenë të shtypura. Por mendoj që gjërat nuk janë aq të prera, mund të shkojnë së bashku.