Sport

Egnatia mposht Kukësin dhe fiton Kupën e Shqipërisë për të dytën herë radhazi!

Egnatia ka mundur 1-0 Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë (edicioni 72) dhe rrogozhinasit vijojnë të mbajnë fronin në këtë turne, teksa ky është suksesi i dytë radhazi. Në “Air Albania” ndeshja ishte me ritëm të lartë, teksa edhe VAR u fut në lojë.

Ndeshja nisi më mirë për Egnatian, që pa më shpejt drejt portës kundërshtare. Në të 24 minutë Kukësi u detyrua të nxirrte nga fusha Dragoshin për t’i bërë vend Hasajt. Duhej e 38 minutë që një ish si Edison Ndreca të shënonte dhe t’i jepte epërsinë dhe për rrjedhojë trofeun Egnatias.

Në fraksionin e dytë Kukësi u duk më kërkues, duke humbur një rast të mirë me Franci Lalën, por pa mundur të ngacmojë portën e Sherrit. Në minutën e 79, edhe me ndihmën e VAR Egnatia fitoi një penallti për prekje të topit me dorë në zonë.

Nga 11 metra largësi braziliani Fernando u ndal nga Tafas që kuptoi krahun, por që në fund verilindorët nuk ia dolën të merrnin trofeun e tretë. Kështu, Egnatia siguron trofeun e dytë në Kupën e Shqipërisë, teksa do luajë edhe në “Final 4” për të tentuar edhe trofeun e Superligës.

Nga ana tjetër Kukësi nuk ia del ta mbyllë sezonin me trofe, teksa sezonin e ri do jetë pjesë e Kategorisë së Parë duke u rrëzuar pas 12 vitesh nga elita e futbollit shqiptar.

Me suksesin e Egnatias në Kupë përfiton edhe Tirana, që do jetë një nga ekipet pjesëmarrëse në fazën eliminatore të Conference League. Egnatia, e renditur e para në sezonin e rregullt e kishte të sigurt vendin në Evropë, ndërsa tani suksesi në Kupë i hap rrugë një tjetër ekipi.

Në mungesë të Skënderbeut (vendi 4 në Final Four) të dënuar nga UEFA me dhjetë vite pezullim nga Evropa (i kanë mbetur edhe tre), është Tirana që merr një vend në Evropë edhe pse u rendit në vendin e pestë në Superligë.