Bota

Egjipti propozoi armëpushim dy-ditor në Gaza, Netenyahu e hedh poshtë!

Kryeministri Benjamin Netanyahu hodhi poshtë një armëpushim afatshkurtër në Gaza të propozuar nga presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, pavarësisht mbështetjes së shumicës së ministrave në qeveri. Sipas mediave në Izrael, “bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve do të vazhdojnë paralelisht me vijimin e sulmeve në Gaza kundër Hamasit”.

Egjipti propozoi armëpushim dyditor në Gazë. Propozimi erdhi nga presidenti Abdel Fattah al-Sisi, i cili foli edhe për shkëmbim të kufizuar të pengjeve me të burgosur palestinezë. Kjo me qëllim sigurimin e “një armëpushimi të plotë”, pas më shumë se një viti luftë mes Izraelit dhe Hamasit. al-Sisi sugjeroi që të zhvillohen edhe negociata në 10 ditët në vijim.

Në një tjetër zhvillim, Teherani paralajmëroi se Izraeli mund të përballet me hakmarrje për shkak të sulmit të fundit në qendra ushtarake iraniane, ndonëse lideri suprem nuk shfaqi gatishmëri në vazhdimin e goditjeve mes dy armiqve rajonalë. Një komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, tha se Izraeli do të përballet me ato që i quajti “pasoja të hidhura”.

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei paralajmëroi kundër ekzagjerimit apo minimizimit të ndikimit të sulmeve hakmarrëse që Izraeli kreu dje ndaj Republikës Islamike. Duke folur me familjarët e zyrtarëve ushtarakë iranianë që u vranë gjatë sulmeve, Khamenei i përshkroi si të “llogaritura keq” nga Izraeli. Por ndërsa iu bëri thirrje zyrtarëve qeveritarë që të “kuptojnë aftësitë” që ka Irani, nuk apeloi që Teherani të përgjigjet, çka do të vazhdonte sulmet mes dy rivalëve.

Sigurisht, ata po e ekzagjerojnë, tha kleriku i lartë duke iu referuar Izraelit, shtet që u mburr se në “mënyrë të suksesshme kreu sulme të shënjestruara dhe të sakta” ndaj objektivave ushtarake të Iranit. Eshtë gabim të ekzagjerohen, por po ashtu është gabim të minimizohen. Irani nuk mund thjesht të thotë  se sulmet nuk ishin asgjë, s’ishin të rëndësishme.

Zvicrës që mban presidencën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Irani i kërkoi të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të dënuar Izraelin pas sulmeve ajrore, që ishin kundërpërgjigje ndaj atyre raketore që Republika Islamike kreu në shtetin hebraik në fillim të muajit.

Zyrtarët iranianë insistuan se mbrojtja ajrore pengoi shumicën e raketave të lëshuara nga Izraeli por konfirmuan edhe se  katër ushtarë të Iranit u vranë. Sulmet nuk goditën objektet bërthamore apo të prodhimit të naftës, ashtu siç pritej. Dy ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden, mbrojti të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, si dhe shprehu shqetësimin se sulmet reciproke mes dy shteteve armike, mund të çojnë në konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.