Bota

Egjipti kundër çdo ndryshimi të sigurisë në kufirin me Gazën!

Egjipti nuk do ta pranojë asnjë ndryshim të masave të sigurisë që ekzistonin në kufirin e tij me Gazën para se të shpërthente lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit të shpallur “terroris” nga Amerika dhe BE-ja e që vijon prej rreth një viti. Kjo u theksua nga ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty.

Siguria në kufi dhe nëse Izraeli do të vazhdojë të ketë prani të trupave përgjatë një zone të sigurisë 14 kilometra të gjatë, e njohur si Korridori Filadelfi, janë bërë pika kyçe në bisedimet mujore për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve në Gazë.

Ushtria izraelite dërgoi trupa në Korridorin Filadelfi në maj, kur e nisi një ofensivë përreth Rafahut. Egjipti, i cili është ndërmjetës në bisedimet për armëpushim, thotë se Izraeli duhet t’i tërheqë trupat dhe se palestinezët duhet të kenë përsëri prani në pikëkalimin Rafah mes Gadishullit Sinai të Egjiptit e Gazës.

Egjipti po e përsërit qëndrimin e tij se nuk pranon asnjë prani ushtarake përgjatë anës së kundërt të pikëkalimit kufitar dhe të korridorit të lartpërmendur, tha Abdelatty për gazetarët gjatë një konference për shtyp me homologun amerikan, Antony Blinken, në Kajro.

Abdelatty shtoi edhe se çdo përshkallëzim, përfshirë shpërthimet e pajisjeve të komunikimit nga të cilat u plagosën mijëra njerëz dje në Liban, do të krijojë pengesa për arritjen e një armëpushimi në Gaza.

Tajvanezja “Golld Apollo” konfirmoi se ka autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxhërat që dje shpërthyen në Liban e në Siri, por se ato janë prodhuar nga një kompani tjetër, me bazë në Hungari. Pajisjet e telekomunikimit me valë, të përdorura nga grupi militant Hezbollah, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, dje shpërthyen në të njëjtën kohë.

Në shtetin libanez u vranë 9 vetë, mes tyre dhe një vajzë 8-vjeçe ndërsa fillimisht u raportuan 18 viktima. Të plagosurit janë mbi 2 mijë e 700, të paktën 200 prej tyre në gjendje kritike.  Hezbollahu dhe qeveria e Libanit kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ishte një sulm i sofistikuar nga largësia, siç raporton Associated Press.