Egjipti dhe Jordania kanë paralajmëruar Izraelin kundër zhvendosjes së popullsisë palestineze të Rripit të Gazës e Bregut Perëndimor. Në një takim me homologun egjiptian, Badr Abdel-Atti në Kajro, ministri i Jashtëm jordanez Ayman al-Safadi theksoi:
Dëbimi brenda dy territoreve palestineze dhe përtej përfaqëson një vijë të kuqe për të dy vendet.
Abdel-Atti akuzon Izraelin se po ndjek një politikë sistematike të zhvendosjes së detyruar të palestinezëve. Ministri tha:
Si Kajro, ashtu edhe Amani e kanë refuzuar me vendosmëri këtë propozim. Veprimet e Izraelit minojnë parimin që dikur shërbente si bazë për marrëveshjen e paqes midis Izraelit dhe Egjiptit.
Qindra mijëra njerëz në Rripin e Gazës janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të përleshjeve midis ushtrisë izraelite dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas. Lufta e Gazës u shkaktua nga masakra e paprecedentë e më shumë se 1 mijë e 200 njerëzve nga Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste në Izrael, më 7 tetor të vitit të kaluar.
Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi, më shumë se 38 mijë e 200 vetë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës. Të dhënat, të cilat nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, aktualisht nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Dje Izraeli urdhëroi të gjithë palestinezët të largohen nga Gaza në veri, në një kohë kur duket se bombardimet në territorin e rrethuar palestinez janë përshkallëzuar. Izraeli thotë se është duke i ndjekur pjesëtarët e Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian pasi po rigrupohen në pjesë të Gazës të bombarduara në fillim të luftës.
Sulmet e mëdha izraelite në Gaza të ditëve të fundit, si pasojë e të cilave janë vrarë dhjetëra njerëz, mund të kenë për qëllim të rrisin trysninë ndaj Hamasit gjatë bisedimeve për armëpushim. Ndërmjetësit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti dhe Katari janë duke mbajtur takime me zyrtarët izraelitë në Katar, për bisedime në përpjekje për ta arritur një marrëveshje armëpushimi.
Izraeli thotë se më shumë se 120 pengje ende po mbahen në Gaza, pasi më shumë se 100 të tjerë u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër nëntorin e kaluar. Sipas tij, rreth 40 pengje kanë humbur jetën dhe i trembet faktit se më shumë do të vdesin me vazhdimin e luftës.