Aktualitet Sport

Edon Zhegrova sulmohet nga rumunët në sallën e konferencave: Turp për ju… (VIDEO)

Sherri mes lojtarëve të Kosovës dhe Rumanisë nuk ka përfunduar me ndërprerjen e ndeshjes.

Tensionet u përshkallëzuan më tej kur futbollisti Edon Zhegrova u sulmua verbalisht nga zyrtarë të Federatës rumune e madje edhe gazetarë. Një prej tyre tentoi të konfliktohej fizikisht, në tunelin e dhomave të zhveshjes, pas përfundimit të sfidës së ndërprerë.

Përleshja gjatë konferencës për shtyp

Gjatë konferencës për shtyp, e mbajtur në një prej ambienteve të stadiumit, disa rumunë, mes tyre edhe gazetarë, tentuan t’i afrohen Edon Zhegrovës në mënyrë kërcënuese. Situata u tensionua, por ndërhyrja e menjëhershme e zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës e parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm.

Ish-zyrtari i FFK-së, Taulant Hodaj, ishte i pari që reagoi, duke shtyrë një prej personave që po i afrohej anësorit të Lille, Zhegrova. Në incident u përfshinë më pas edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe zyrtari Bajram Shala, të cilët mbështetën Hodajn në mbrojtje të lojtarëve të Kosovës.

Reagimet dhe pasojat

Incidenti ka nxitur reagime të shumta, duke vënë në pikëpyetje sjelljen dhe etikën e përfaqësuesve rumunë në këtë situatë. Ndërsa federata e Kosovës e dënoi ngjarjen, pritet që të ketë një hetim më të detajuar për të përcaktuar masat e mundshme disiplinore.