Edlir Tetova, trajneri i Egnatias, ka folur në prag të ndeshjes që rrogozhinasit do të luajnë me Laçin.
Kujtojmë se ky takim merr jetë nesër në orën 14:00 dhe vlen për javën e 11-të të Superiores.
“Kemi mungesa, janë dy kapitenë si kapiteni kryesor dhe zëvendësi, janë mungesa të rëndësishme, por mendoj pjesa tjetër që do i zëvendësojë janë në nivelin e duhur. Mendoj do të jetë përballje e fortë, Laçi vjen nga dy përballje pozitive, ka mundur Vllazninë dhe barazim me Tiranën, mendoj do të jetë ndeshje e bukur”, u shpreh fillimisht Tetova.
Kartonat- “Sigurisht që çdo situatë ka problematikat e veta, duhet gjykuar pak me mendje më të kthjellët, por nuk më takon mua, janë në kompetencat e gjykimit. Mendoj të rregullojmë gjërat në ndeshjet në vazhdim.
Mendoj nuk ka ngërç. Dy sezonet e fundit golat kanë qenë të shpërndarë, nuk kemi pasur golashënues fiks, mendoj nuk do të jetë problem. Duhet të ketë vetëm kthjellësi dhe pjekuri para portës.
Lushkja- “Ishte çështje kohe, prandaj e kam zgjedhur të jetë në ekip. Është lojtar që ka kualitet, i duhet dhe pak kohë të përshtatet me ekipin, kështu që të presim”.
Laçi- “Ekipet janë aty-aty. Laçi po tregon formë të mirë, skuadër për t’u vlerësuar. Sa për renditjen është thjesht java e 11-të, janë dhe shumë javë dhe diferenca jo e madhe, do shikojmë si do të shkojë.
Mendoj koha është armiku numër 1 i trajnerit siç është dhe impenjimi më i madh për të sjellë lojtarët në formë. Janë goxha lojtarë që kemi ndërruar nga sezoni i kaluar, mendoj hap pas hapi dhe sikur lojtarët të vijnë një nga një do të isha shumë i kënaqur.
Dëmtimet- “Ishin javët e para, për shkak të goditjeve në ndeshje që nuk mund t’i shmangim. Kartonët janë shqetësim se nuk e kam në asnjë moment grupin e plotë. Të shpresojmë në ecuri më të mirë, me lojtarët kemi biseduar dhe mendoj do kemi ecuri më të mirë në vazhdim.
Dhe vjet ishte me ‘Final Four’. Është një grup lojtarësh që kanë ardhur risi, derisa të kuptojnë që ekipi luan një format loje, sigurisht që do të ketë oshilacione.
Kemi parë që nuk ka shumë diferenca mes ekipeve. Pjesa e dytë e sezonit, nga janari, do të shikojmë ekipet që janë me të vërtetë pretendentë.
Parashikim për ndeshjen me Laçin, nuk jam tifoz i parashikimeve, por mendoj që skuadra të bëjë mirë, të jetë në detyra dhe çdo gjë t’i përgjigjet fushës. Për rival, përderisa jemi të gjithë me pikë të barabarta ose aty-aty në renditje me diferenca pak pikë, mendoj të gjithë janë në garë për ‘Final Four’”, tha Tetova.