Mercedes-Benz bëhet kompania më e fundit perëndimore që largohet nga tregu i Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, tetë muaj më parë, më 24 shkurt të këtij viti. Kjo kompani me bazë në Gjermani ka ndalur prodhimin dhe eksportimin e produkteve të saj në shtetin rus, prej fillimit të muajit mars.
Por, ky është një zhvillim i ri, pasi tani ka vendosur që të largohet krejtësisht nga tregu rus dhe do t’ua shesë aksionet investitorëve rusë.
Kompania japoneze, Nissan u largua nga Rusia më herët gjatë këtij muaji, e duhet thënë se në mënyrë të njëjtë kanë vepruar edhe të tjera kompani që prodhojnë automjete, të tilla si Toyota e Renault.
Nissan pësoi humbje të ndjeshme prej 700 milion dollarësh, pasi biznesin e shiti te një entitet shtetëror për një shumë simbolike. Por, Harald Wilhelm, nga zyra e financave në Mercedes-Benz, u shpreh se largimi prej Rusisë, nuk pritet të ketë ndikim të madh në fitimet e kompanisë.
Shoqata e Bizneseve Europiane ka thënë se 9.558 makina Mercedes janë shitur në Rusi nga muaji janar deri në shtator, çka përbën një rënie me 72.8 për qind, në krahasim me vitin e kaluar.
Vendimi për largim, vjen pasi shumë kompani perëndimore janë “arratisur” nga Rusia më herët gjatë këtij viti, mes tyre edhe Starbucks, McDonald’s e Coca-Cola. Gjithashtu, të tjera kompani për prodhimin e makinave, përfshirë: Jaguar Land Rover, General Motors, Aston Martin e Rolls-Royce, kanë ndalur të gjitha operacionet në Rusi, pak pas nisjes së luftës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë ndërruar jetë mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, kryesisht në Poloni.