Botë e Çuditshme

Edhe delfinët qeshin, shkenca e konfirmon!

Delfinët qeshin dhe këtë e konfirmon dhe shkenca. Qëllimi i kësaj sjelljeje është të krijojnë siguri tek njerëzit përreth që nuk kanë qëllime agresive e të komunikojnë dëshirën e tyre për të luajtur. Delfinët, nuk janë të vetmit në mbretërinë e kafshëve që shprehin gëzim me anë të buzëqeshjes, por edhe qentë e majmunët.

Studimi ka analizuar mbi 80 orë delfinët dhe autorët kanë arritur në konkluzionin mbi interpretimin e ekspresionit të fytyrës si shenjë paqeje e qetësie. Pra goja e hapur dhe sytë me shkëlqim është një instrument komunikimi. Madje është dalluar që këtë shprehi gëzimi e transmetojnë vetëm kur janë në shoqërinë e delfinëve të tjerë apo edhe njeriut, dhe jo kur janë vetëm, pavarësisht lojërave.

Rikujtojmë se sipas një studimi, shkencëtarët skocezë kanë zbuluar se sëmundja Alzheimer prek edhe delfinët. Studiuesit nga Universitetet e Glasgow, St Andrews dhe Edinburgh, si dhe nga Instituti i Kërkimeve Moredun, të cilët botuan studimin në “European Journal of Neuroscience”, studiuan trurin e 22 delfinëve, të cilët ishin gjetur në zonat bregdetare të Skocisë.

Sipas studimit, u zbulua se delfinët kishin patologji tipike të Alzheimerit në trurin e tyre. Arsyeja se pse delfinët kanë shfaqur shenja të sëmundjes ende nuk dihet. Gjetjet mund të shpjegojnë pjesërisht pse disa delfinë dhe kafshë të tjera detare si balenat bllokohen në ujëra shumë të cekët ose në plazhe, duke ndjekur një kafshë udhëheqëse, por që mund të vuajë nga konfuzioni për shkak të Alzheimerit.