Komediani i njohur, Eddie Murphy, ka treguar se beson që Zoti e mbrojti kur refuzoi substancat narkotike, përfshirë kokainën, që ia ofruan aktorët John Belushi dhe Robin Williams. 63 vjeçari ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Zotit që nuk e lejoi të binte në grackën e drogës që i mori jetën John-it dhe që kontribuoi në problemet e shëndetit mendor të Robin-it.
“Në moshën 19-vjeçare, kur isha në ‘Blues Bar’ me John Belushi-n dhe Robin Williams-in, ata filluan të konsumonin drogë, por unë refuzova. Nuk po përpiqesha të tregoja moral, thjesht nuk isha i interesuar. Mendoj se Zoti po më mbikëqyrte atë moment”-ka treguar Eddie për revistën “The Interview”. Murphy gjithashtu ka folur për ngritjen dhe rrëzimin tragjik të yjeve si Michael Jackson dhe Elvis Presley.
John Belushi ndërroi jetë nga një mbidozë heroine në moshën 33-vjeçare në vitin 1982, ndërsa Robin Williams ndërroi jetë në moshën 63 vjeç në vitin 2014, pas një beteje të gjatë me depresionin dhe varësinë nga substancat. Murphy ka thënë për “New York Times” se të bëhesh i famshëm në moshë të re, sidomos si artist me ngjyrë, është sikur të ecësh në një fushë të minuar.
“Çdo moment mund të ndodhë diçka që zhbën të gjitha arritjet. Tani, kur mendoj them me vete ‘Uau, kam mbijetuar në këtë fushë të minuar për 35 vjet. Si mund të mbijetosh në këtë fushë të minuar pa të mbikëqyrur dikush?”-ka thënë Eddie. Ndërkaq, 30 vjet pas pjesës së tretë dhe të fundit të “Beverly Hills Cop”, aktori amerikan Eddie Murphy kthehet në rolin e Axel Foley.
Heroi i filmit të ri të Netflix “Beverly Hills Cop: Axel F” kthehet në Beverly Hills, ku mëson se vajza e tij dhe prokurorja Jane (Taylor Paige) është në rrezik pasi ajo zbulon korrupsionin në komisariat gjatë një hetimi. Murphy, së bashku me anëtarët e kastit origjinal, Judge Reinhold dhe John Ashton, e shfaqën premierën e filmit përballë stacionit të policisë së Beverly Hills ku zhvillohet pjesa më e madhe e aksionit. Megjithatë, premiera, ku morën pjesë aktori Martin Lawrence, muzikanti Lil Nas X dhe të tjerë, ishte shumë ndryshe nga premiera origjinale e vitit 1984.