Ky episod i ‘Paso’ nuk mund të vinte kaq ndryshe dhe më dinamik se këtë herë. Me një ndryshim në prezantim, tanimë krahas Glentit, në të premten tuaj sportive do t’ju shoqërojë kush tjetër veçse Edi Manushit, i cili prej vitesh tanimë është në krye të ‘Procesit Sportiv’.
Në studio përpos tyre ishin të ftuar dhe dy miq të përhershëm mund të themi tanimë të programit, Redi Jupi dhe Lorenc Jemini. Nuk munguan gjithashtu as lidhjet telefonike.
Një nga diskutimet ishte dhe për presidentin e UEFA-s, Ceferinin dhe presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Dukën, Ed Manushi u shpreh se ky i fundit po luan në mënyrë shumë inteligjente, duke e krahasuar edhe me kryeministrin e vendit, Edi Ramën.
Presidenti i Federatës ka nuhatje dhelprake, gati politike. Ai bëri një kapërcim shumë inteligjent. Është diplomaci shumë e lartë, si Rama. Ka kaluar në krahun e Ceferinit, e ka partner. Ai zgjidh gjithë hallet me Dukën, gjithë hallet me Ramën.
E teksa nesër luhet ndeshja Tirana- Skëndërbeu, Manushi u shpreh se i njëjti orar me Derby-n Inter-Milan nuk është shumë i përshtatshëm.
Nuk është gjë e mirë se interferon me ndeshjen Inter-Milan, që kanë shumë tifozë këtu te ne.