Aktualitet Travel

“Easy Voyage” veçon disa nga vendet më të bukura në Shqipëri!

“Shqipëria, destinacioni i ri nën radar ofron një ndërthurje të vendeve arkeologjike, maleve dhe fshatrave tradicionale plot hijeshi”. Në këtë mënyrë e përshkruan një artikull i botuar në revistën franceze të udhëtimeve “Easy Voyage” teksa e rekomandon vendin tonë për t’u vizituar.

Vitet e fundit, turizmi në Shqipëri ka ardhur gjithnjë e më në rritje dhe ky vend ballkanik është kthyer shpejt në destinacionin kryesor evropian. E pasur në trashëgiminë e saj historike dhe natyrore, Shqipëria kryeson mes vendeve të lashta arkeologjike. Vendi mesdhetar është gjithashtu shtëpia e liqeneve dhe plazheve ku mund të pushoni këtë verë!

Liqeni i Ohrit

Ohri është një nga liqenet më të mëdhenj në Gadishullin Ballkanik dhe një nga më të vjetrit në botë. Pika më e thellë e tij është 289 metra. Liqeni i Ohrit furnizohet nga Liqeni i Prespës, i vendosur në juglindje dhe derdhet në drejtim të veriut nëpërmjet lumit Drini i Zi.

Midis dy liqeneve ndodhet Parku Kombëtar i Galiçicës, i krijuar në vitin 1958 dhe i vendosur në masivin me të njëjtin emër. Për t’u freskuar, nuk ka gjë më të mirë se një nga plazhet e liqenit. Plazhi i Pogradecit ndodhet në mes të qytetit dhe maleve që e rrethojnë atë në lindje e perëndim e që shtrihen drejt horizontit, në të dy anët e brigjeve të liqenit. Shijoni relaksin pranë liqenit me ujëra të pastra bruz. Krahas ujërave të liqenit do të keni mundësi të vizitoni edhe sitin arkeologjik të Linit.

Plazhet e Ksamilit

Ksamili, një fshat i vogël në jug të vendit, ndodhet mbi një istëm në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit. Ksamili është një vendpushim i njohur bregdetar, i cili ofron shumë plazhe ku mund të pushoni. Përreth zonës ndodhen disa ishuj të vegjël të pabanuar.

Në këto plazhe, ju mund të shijoni diellin në një shezlong, të pushoni nën hijen e çadrave të kashtës ose të notoni në ujërat e pastra bruz. Aty ndodhen rrënojat e bazilikës antike të Butrintit, ndërsa një nga ishujt strehon mbetjet e Kalasë së Ali Pashës.

Syri i Kaltër

Duke lënë Ksamilin dhe duke u ngjitur drejt maleve, rruga të çon në Syrin e Kaltër. I vendosur në fund të luginës së Delvinës dhe Sarandës, liqeni njihet si një zonë e mbrojtur që nga viti 1996 e që përfshin 180 hektarë pyll përreth.

Për të shijuar plotësisht liqenin, vizitoni pjesën veriperëndimore ku dominojnë ujërat e kristalta dhe bimësia e dendur. Uji është aq i pastër, sa mund të shihni florën që rritet në fund të lagunës.