Vajzat priren të kërkojnë mbështetje emocionale në miqësitë mes tyre, por shpesh kanë vështirësi të shprehin nevojën për atë mbështetje. Miqësitë mes vajzave janë më emocionale se ato të burrave, sepse ato zakonisht përpiqen të jenë pjesë e grupeve të vogla, duke e bërë kështu më të thjeshtë edhe marrëdhënien. Burrat nga ana tjetër priren të jenë pjesë e grupeve më të mëdha.
Një trajnere për miqësitë, Danielle Bayard Jackson, ka studiuar marrëdhëniet e ndërlikuara shoqërore midis vajzave, për të kuptuar brishtësinë e tyre dhe për t’i ndihmuar ato të krijojnë dhe të mbajnë miqësi sa më të shëndetshme. Ajo shprehet:
Krijimi i miqësive me vajza të tjera mund të bëhet ndonjëherë shumë stresuese, pasi në çdo moment mund të ndihesh sikur po distancohesh me dikë, po i lëndon ndjenjat, ose po kalon kufijtë. Teksa studioja mbi miqësitë mes vajzave, pashë se nuk kishte rëndësi se çfarë fushe po shikoja – antropologji, sociologji, psikologji, sociolinguistikë – sa herë që bëhej fjalë për diskutime mbi dallimet gjinore dhe ato sociale, vëreja gjithmonë tre gjëra të njëjta.
Faktorët kryesorë që i bëjnë vajzat të ndihen shumë të afërta dhe të lidhura janë: mbështetja, barazia dhe sekretet. Këto janë gjithashtu gjërat që mund të bëjnë që miqësitë tona të ndihen të brishta. Gjëja thelbësore që ato kërkojnë në miqësitë midis së njëjtës gjini është mbështetja emocionale. Problemi është se në vetvete kjo është shumë subjektive. Dhe ne shpesh nuk e shprehim mbështetjen që na nevojitet, sepse ndihemi sikur duke e thënë atë me zë të lartë do të humbim marrëdhënien që supozohet të kemi – sikur mikja duhet thjesht të dijë se çfarë ju nevojitet.
Faktori i dytë është ideja e barazisë. Një nga tre ankesat kryesore që kanë problem gocat për miqësitë e tyre është se ndihen sikur janë duke dhënë më shumë për atë marrëdhënie sesa mikesha e tyre. Kjo mungesë barazie në sytë e tyre, mund të shfaqet gjithashtu përmes komenteve si, “Thjesht ndihem sikur nuk e njoh më. Nuk jemi më të njëjtat.” Ndjenja e barazisë në një miqësi është shumë e rëndësishme.
Dhe së fundmi, sekretet, të cilat nuk i referohen domosdoshmërisht sekreteve shumë personale. Kjo përbën një nga elementet më të rëndësishme të miqësive midis grave, pra me pak fjalë: “Unë ndaj një sekret, ti gjithashtu.” Këto tre koncepte priren të na lidhin. Kur një mike e kupton mungesën e njërës prej këtyre gjërave, ky është fillimi i shumicës së problemeve që gratë kanë me miqësitë e tyre.
Ndodh që mungesa e njërës prej këtyre mund të shkaktojë një pikë të vogël tensioni, prej së cilës një miqësi arrin deri aty sa shkon drejt fundit. E rëndësishme gjithashtu është që gjithmonë të ndani me mikeshën tuaj atë që ju nevojitet. Në çdo marrëdhënie tjetër, themi që duhet të komunikojmë. Por në miqësi, duket sikur mendojmë që duhet të jetë e lehtë, e natyrshme dhe ky është një mit që e vret marrëdhënien.