Çdo makinë Ferrari është e veçantë, por ka disa që janë më speciale se të tjerat. Mbi këto, janë makinat unike, që njihen si “one-off”, të krijuara për vetëm një klient. Unikja më e re e markës së famshme italiane është Ferrari SP48 Unica, një makinë e ndërtuar mbi bazën e Ferrari F8 Tributo, por krejtësisht e ridizenjuar për klientin fatlum.
Me një motor V8 prej 720 kuajsh fuqi, kjo makinë arrin nga 0 në 100 km/h për vetëm 2,9 sekonda. Kush është pronari i saj? Sa ka kushtuar? Këto janë dy sekrete që me shumë mundësi nuk do të zbulohen kurrë!
Ndërkaq, ju shuajmë një kuriozitet. Një burrë ka shkatërruar një supermakinë klasike, të cilën sapo e kishte blerë për rreth 600 000 euro, për shkak se nuk dinte ta ngiste. 50-vjeçari Robert J.Guarini, nga Florida, kishte bërë ofertën më të lartë në ankand për një Ford GT të vitit 2006, por e përplasi me një pemë sapo doli nga shtëpia.
Ferrarit nga ana tjetër i ka ardhur në ‘majë të hundës’ nga këngëtari i njohur Justin Bieber. Marka e famshme italiane e makinave ka vendosur që të mos e lejojë më këngëtarin të ngasë asnjë nga mjetet e tyre. Arsyeja është sjellja e tij jashtë normave. Marka italiane u kërkon blerësve të saj që të respektojnë disa parime. Për shembull, të kujdesesh për makinën dhe të kesh sjelljen e duhur në timon.