Ngjarje e rëndë në Tiranë. 4 adoleshentë të moshës 14 vjeçarë nxënës të shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’ janë përfshirë në një sherr ku mësohet se është përdorur edhe një thikë.
Martin Cani 14 vjeç është goditur në zemër dhe ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës. Ndërkohë Luis Meçja 14 vjeç ka plagë në gjoks dhe ndodhet në gjendje stabël në spital.
Adoleshent i tretë ndodhet në një spital privat në Tiranë, i plagosur në krahun e majtë. Ky i fundit dyshohet se është autori i ngjarjes. Sherri ka nisur për motive banale, fillimisht në rrjetet sociale.
Njëri është shoqëruar në polici për sqarimin e rrethanave të konfliktit. Adoleshentët janë nxënës në shkollën “Fan Noli” si dhe të një shkolle tjetër në Sauk.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur sapo fëmijët kanë mbaruar mësimin dhe janë konfliktuar me njëri-tjetrin.
Shqiptarja.com sjell pamje nga vendi ku ndodhi ngjarja ku policia tashmë ka rrethuar zonën dhe po punon për të mbledhur provat dhe dëshmitë.
Njoftimi i policise
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.