Aktualitet Bota

E rëndë në Milano, shqiptari plagos me pistoletë djalin e partneres, arrestohet! 18-vjeçari rëndë në spital

Milano- Një 18-vjeçar vendas ka mbetur i plagosur rëndë me armë zjarri në pjesën e qafës dhe ndodhet në spitalin e Niguardës, teksa lufton me vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, në Novate Milanese (Milano) dhe policia ka ndërhyrë në vendngjarje. Policia italiane njoftoi se arrestoi një 45-vjeçar shqiptar të dyshuar, i cili rezulton se ka plagosur djalin e partneres së tij pas konfliktit.

Sipas një dinamike paraprake të ndërtuar nga hetuesit, gjithçka ndodhi në kulmin e një debati në rrugë, por motivi mbetet ende i panjohur zyrtarisht, edhe pse besohet të jetë xhelozia e të plagosurit, për lidhjen e shqiptarit me nënën e tij, ose ndoshta dhuna që ai ushtronte ndaj saj.

Karabinierët konfirmuan arrestimin e autorit disa orë më pas, i akuzuar për tentativën e vrasjes së djalit 18-vjeçar të partneres së tij, por nuk e identifikuan publikisht. Ai do akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë”, “marrje e sendeve të vjedhura” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën një gëzhojë dhe brenda shtëpisë, armën e krimit, një pistoletë e vjedhur në vitin 2013 në Sassuolo (Modena) dhe 40 gëzhoja të të njëjtit kalibër, të gjitha të sekuestruara, shkruan “Ilmessaggero”.

Viktima është transportuar me kodin e kuq në spitalin Niguarda në Milano, ku ndodhet ende në një prognozë të rezervuar dhe në rrezik serioz për jetën. Më pas i arrestuari do të dërgohet në burgun e Milan San Vittore, në dispozicion të organeve të drejtësisë, për masë sigurie, hetim dhe proces gjyqësor.