Një alpinist nga Kosova është rrëzuar dhe ka humbur jetën në zonën e Alpeve, në vendin e quajtur “Maja e thatë” mbi Valbonë.
Incidenti tragjik ka ndodhur në një terren shumë të thepisur dhe shkëmbor, raporton gazetari i Top Channel, Klodian Zhivani, ndaj nuk mund të ndërhyhet as në rrugë tokësore dhe as me helikopter, përveçse nga alpinistë të certifikuar që varen me litar për nxjerrjen e trupit të pajetë.
Për pasojë është njoftuar grupi i Alpinistëve nga Kosova për të nxjerrë trupin. Ndërkohë, Policia e Tropojës ka kërkuar ndërhyrjen me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Rreth orës 15:10 jemi njoftuar se një shtetas nga Kosova është rrëzuar në vendin e quajtur Maja e Thatë Valbonë në kordinata gjeografike 42.469157,19.867158, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas terrenit është e nevojshme ndërhyrja me helikopter me pasje me litar tërheqës duke qenë se terreni është shumë i vështirë”, njofton policia.