Aktualitet

E premtja e zezë, dita e djeshme u mbyll me 11 viktima në vend!

11 viktima brenda 24 orëve e kanë kthyer të djeshmen në një ditë të zezë për vendin tonë.  Tronditëse ishte tragjedia me katër të vdekur, anëtarë të së njëjtës familje në liqenin e Banjës në Gramsh. Hynë për t’u larë, por nuk mundën të dilnin më gjallë Gazment Zogu 46-vjeç me dy djemtë e moshave 14 e 19-vjeç dhe nipin 20-vjeçar, i identifikuar si Melis Zogu, të gjithë nga fshati Cingar.

Polumbarët e RENEA-s arritën që të nxirrnin trupat e pajetë në orët e vona të së premtes.

Dy viktima të tjera u shënuan në plazhet e Durrësit e të Tales në Lezhë. Në Porto Romano, një 68-vjeçar hyri në det rreth orës 19:20, por sapo ra në kontakt me ujin nisi të kishte probleme shëndetësore e për fat të keq nuk mundi të mbijetojë dhe gjeti vdekjen. Në plazhin e Talës, viktimë mbeti një shtetas 52-vjeç.

Bilanci u rëndua nga viktimat e tre aksidenteve rrugore, me pasojë vdekjen e një 58-vjeçari në aksin Elbasan-Peqin, të një 40-vjeçari në fshatin Shën Vasil të Himarës dhe të një personi ende të paidentifikuar që me një Range Rover përfundoi në humnerë, në fshatin Fortuzaj të Tiranës.

9 viktimave iu shtua dhe një grua. Dife Gërdani ndodhej në shtëpi në fshatin Shkallnur të Durrësit kur humbi jetën tragjikisht. Gruaja 70-vjeçe ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa po tentonte të piqte bukën në furrë.

Bashkëshorti tentoi t’i shkonte në ndihmë duke shkëputur energjinë elektrike nga pajisja, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë.

Specialistët e OSHEE-së konstatuan se nuk ka problem në linjën që furnizon me energji banesën. Paraprakisht dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë problem në instalimin e brendshëm të shtëpisë ose këputja e rezistencës së sobës e kontakti me të, që rezultuan fatale për të moshuarën.

Në një tjetër ngjarje tragjike, një 45-vjeçar bojaxhi humbi jetën ndërsa ra aksidentalisht nga lartësia në lagjen “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit. Ai po lyente muret e një ndërtese.