Një përzierje droge e quajtur “kokainë rozë”, që përbëhet nga një grup substancash që ndryshojnë vazhdimisht, është bërë pjesë e rrezikshme dhe gjithnjë e më popullore në skenën e klubeve në qytetet amerikane. Shumica e mostrave të kësaj përzierjeje përmbajnë të paktën një drogë stimulante dhe një anti-depresant, ilaçe që përdoren për gjumin, stresin dhe spazmat e muskujve.
Kokaina rozë shpesh përfshin ketaminën, një anestetik disociativ me efekte halucinogjene dhe droga të tjera si ekstazi, metamfetaminë, opioide dhe substanca psikoaktive. Dr. Linda Cottler, një epidemiologe që studion abuzimin me substanca në “Florida University” u shpreh:
Kjo përzierje është zakonisht shumë e lirë, çka i tërheq njerëzit për ta përdorur.
Edhe vetë termi “kokainë rozë” është një gabim terminologjik, pasi kjo përzierje rrallë përmban kokainë, thotë Joseph Palamar, profesor i asociuar në “University Langone Health” të New York-ut. Emri, me shumë mundësi vjen nga fakti që kokaina rozë shitet në formë pluhuri dhe lyhet me ngjyrues ushqimor rozë. Dr. David E. Nichols, farmakolog në “Purdue University” që studion halucinogjenët, shpjegon:
Këta kimistë përpiqen të krijojnë diçka që mendojnë se njerëzit do ta pëlqejnë. Zoti e di se çfarë efektesh mund të ketë.
Në muajt e fundit, përzierja është lidhur me arrestime të profilit të lartë. Një nga rastet ishte kur Sean Combs, u arrestua në shtator, organet e rendit gjetën pluhur rozë në dhomën e tij të hotelit në New York, sipas një prokurori. Një padi e ngritur nga producenti i muzikës, Rodney Jones Jr., që pretendon sjellje të pahijshme seksuale, thotë se kokaina rozë ishte shpesh prezente gjatë udhëtimeve të Combs.
Po ashtu, Liam Payne, ish-anëtar i grupit One Direction, ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Buenos Aires, pas rënies nga ballkoni i hotelit ku qëndronte. Sipas raportimeve nga “The Guardian”, këngëtari 31-vjeçar ishte nën efektin e substancave të shumta, përfshirë kokainën dhe metamfetaminën, në momentin e incidentit. Raportet paraprake toksikologjike kanë zbuluar praninë e “kokainës rozë”.