Carla Bruni-Sarkozy është marrë në pyetje nga hetuesit pas hapjes së hetimeve që lidhen me tërheqjen e dëshmisë akuzuese në vitin 2020 kundër Nicolas Sarkozy nga ndërmjetësi Ziad Takieddine. Çështja është pjesë e zhvillimeve të hetimit për financimin e pretenduar të fushatës presidenciale të vitit 2007, të fituar nga Sarkozy, me fonde libiane. Burime pranë hetuesve kanë raportuar se ish-top modelja dhe këngëtarja rrezikon të akuzohet për krime të tilla si, bashkëpunim në ndikimin e një dëshmitari apo komplot kriminal që synon korruptimin e gjyqtarëve libanezë.
Bruni, gjatë seancës gjyqësore mund të vihet në hetim me statusin më të favorshëm të “dëshmitarit të informuar për faktet”. Më 2 maj, Carla Bruni u mor në pyetje për tre orë nga hetuesit, të cilëve u shpjegoi se çfarë marrëdhënieje kishte me personazhin kyç në këtë aferë. Michèle Marchand, e njohur si “Mimi”, një figurë kryesore në gazetarinë “popullore” në Francë, dyshohet se ka orkestruar tërheqjen e dëshmitarit, ndërmjetësit dhe biznesmenit Ziad Takieddine.
Në vitin 2020, Takieddine, i konsideruar nga Sarkozy si akuzuesi kryesor i tij, papritmas shfajësoi ish-presidentin, duke kundërshtuar akuzat e tij të mëparshme. Hetuesit kanë dyshuar prej kohësh se disa persona të afërt me Sarkozy, anëtarë të familjes, bashkëpunëtorë, besnikë kanë organizuar tërheqjen për të minuar besueshmërinë e vetë Zakieddine, i cili pas disa javësh u tërhoq dhe e mohoi tërheqjen.