Celebrities Magazine Music Showbiz

E përditshmja britanike “The Times” etiketon këngën e Shqipërisë në Eurovision 2023: “Një vajtim mistik”!

Albina dhe Familja Kelmendi çojnë Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2023. Por, megjithëse Shqipëria ishte e para që u kualifikua në finalen e “Eurovision”, kënga jonë si duket nuk është pëlqyer shumë nga e përditshmja britanike “The Times”. Në artikullin e saj mbi këngën “Duje”, gazeta e ka vlerësuar interpretimin si një version ballkanik i “Phantom of the Opera” të Andrew Lloyd Webber, duke shpjeguar se krahasimi nuk është përdorur në kuptimin pozitiv.

The Times shkruan:

Vajtim mistik, kambana kishe, mendoni një interpretim ballkanik të “Phantom of the Opera” të Andrew Lloyd Webber. Por jo në një mënyrë të mirë.

Gazeta britanike e ka vlerësuar këngën dhe performancën e Albina Kelmendit me 2 yje nga 5 të mundshmet, megjithatë kënga “Duje” e Albina Kelmendit dhe familjes Kelmendi mori votat maksimale nga juria dhe publiku. Rikujtojmë se, të gjitha komentet mbi vokalin, mesazhin e këngës për një familje të bashkuar të Albinës kanë qenë shumë pozitive nga ndjekësit, si edhe më gjerë.

Dje në natën e dytë gjysmëfinale u zgjodhën 10 shtetet e tjera finaliste nga 16 që morën pjesë në garë. Krahas Shqipërisë, janë edhe Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia e Sllovenia Ndërkaq, në gjysmëfinalen e parë, 10 vendet që u kualifikuan ishin Kroacia, Moldavia, Zvicra, Izraeli, Finlanda, Çekia, Portugalia, Suedia, Serbia e Norvegjia.

Finalja e madhe do të mbahet më 13 maj, pra nesër, në M&S Bank Arena në Liverpool të Britanisë së Madhe. Vitin e kaluar, Festivalin Europian të Këngës e fitoi Ukraina, por pushtimi rus që vazhdon prej më shumë se një viti e bëri të pamundur mbajtjen e edicionit të këtij viti atje. Për këtë arsye, organizimi iu besua Britanisë së Madhe.