Auto & Moto Tech

E paparashikueshme, Teslas i shtohen rreth 150 miliardë dollarë në vlerën e tregut!

Aksionet e Tesla u mbyllën me afro 22%, fitimi i tyre më i madh njëditor në më shumë se një dekadë pasi parashikimi i guximshëm i Elon Musk për rritjen e shitjeve siguroi investitorët se ai ishte ende në kërkim të rritjes së biznesit të tij kryesor të shitjes së makinave elektrike. Bëhet e ditur se në afërsi, rreth 150 miliardë dollarë iu shtuan vlerës së tregut të kompanisë. Musk parashikoi 20-30% rritje të shitjeve për vitin e ardhshëm, duke premtuar se do të nisë prodhimin e një automjeti të përballueshëm në gjysmën e parë të vitit 2025.

Siç theksojnë mediat, ky lajm “largon” shqetësimet se Musk ishte fokusuar vetëm në projekte të reja si robotaksi. Ndër tjera, Musk e ka kthyer Teslan në një kompani të Inteligjencës Artificiale dhe robotikës nga një lider i tregut të automjeteve elektrike, por ende nuk ka parashtruar një plan të detajuar biznesi për fokusin e tij të ri. Tremujorin e kaluar, Musk bëri njoftime për zhvillimet e reja të kompanisë, nga taksitë pa shofer deri te robotët humanoidë. Ndryshe, Tesla regjistroi 326 milionë dollarë të ardhura edhe nga softueri autopilot Full Self Driving (FSD) i përdorur në Cybertruck dhe veçori të tjera autonome.

Agjencia e sigurisë rrugore e qeverisë amerikane ka hapur një hetim për 2.4 milionë automjete Tesla me softuerin Full Self-Driving të prodhuesit të automjeteve pas katër përplasjeve të raportuara, duke përfshirë një përplasje fatale. Bëhet e ditur se Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) po nis një vlerësim paraprak pas katër raporteve të përplasjeve ku Full Self-Driving ishte e përfshirë. “Në një aksident Tesla goditi për vdekje një këmbësor”-tha NHTSA. Hetimi mbulon automjetet Model S dhe X 2016-2024 me sistemin opsional si dhe automjetet Model 3 2017-2024, Model Y 2020-2024 dhe Cybertruck 2023-2024. Vlerësimi paraprak është hapi i parë përpara se agjencia të kërkojë tërheqjen e automjeteve nëse beson se ato përbëjnë një rrezik për sigurinë.