Bota

E pabesueshme por e vërtetë, një tjetër miliarder kërkon të eksplorojë rrënojat e Titanikut një vit pas tragjedisë së Titan-it!

Një vit pasi nëndetësja Titan përfundoi në fund të oqeanit bashkë me pesë personat në bord, një miliarder amerikan ka nisur një projekt të ri nënujor që pritet të kushtojë 20 milionë dollarë. Këto para do të shkojnë për të provuar se vendi ku është fundosur Titaniku mund të eksplorohet në mënyrë të sigurt. 74-vjeçari Larry Connor nga Ohio, planifikon të zhytet në 3779.52 metra thellësi, deri në fund të Atlantikut të Veriut, me anë të një nëndetësje për dy persona të prodhuar nga Triton Submarines.

“Dua t’u tregoj njerëzve në mbarë botën se teksa oqeani është jashtëzakonisht i fuqishëm, mund të jetë i mrekullueshëm dhe i këndshëm dhe me të vërtetë mund t’ju ndryshojë jetën nëse e eksploroni në mënyrën e duhur,”-i tha Connor Wall Street Journal. Ky projekt vjen vetëm një vit pasi pesë persona, përfshirë edhe themeluesin e OceanGate, Stockton Rush, humbën jetën në një nëndetëse të ngjashme. Rreth një orë e 45 minuta pasi zhytjes në vendin ku është fundosur Titaniku, nëndetësja shpërtheu brenda vetes.

OceanGate, që biletën deri te rrënojat e Titanikut e kishte 250,000 dollarë për person, më pas i pezulloi të gjitha operacionet në pritje të hetimit, i cili është ende në vazhdim. Connor, për të ndërtuar nëndetësen, do të punojë me Patrick Lahey, një zhytës me përvojë dhe projektues nëndetësesh, i cili është bashkëthemelues i Triton Submarines. Aktualisht nuk dihet se kur planifikojnë ta bëjnë udhëtimin në vendin e mbytjes së Titanikut.

Raportimet e fundit thonë se një film ka nisur të krijohet për tragjedinë e nëndetëses milionere OceanGate që pritet të hedhë dritë mbi misionin e saj dhe atë çfarë shkoi keq në lundrimin fatal. Duke nisur aktualisht me titullin ‘Salvaged’ (E shpëtuar), filmi për nëndetësen e Titanikut do të fokusohet mbi lundrimin pesë-ditor të makthit drejt rrënojës së anijes së famshme, para se të humbisnin kontaktet me mjetet në sipërfaqe dhe të zhdukeshin, pak e shumë siç ndodhi dhe me kroçerën misterioze që kërkonin.