Bota

E mbijetuara 102-vjeçare e Holokaustit vlerësohet me çmim nderi!

Margot Friedländer, 102-vjeçarja e mbijetuar e Holokaustit, është vlerësuar me një çmim nderi për përkushtimin e saj ndaj humanizmit dhe tolerancës. Friedländer ende viziton klasat e shkollave për të treguar historinë e jetës së saj si hebreje gjatë epokës naziste. Ajo mori çmimin e nderit “Brigitte Award 2024” në Berlin, hera e parë që jepej ky çmim.

Brigitte është personazh i mirënjohur në publikimet e revistës për femra në Gjermani, që këtë vit kremton 70-vjetorin e krijimit dhe që është pjesë e portofolit të televizionit RTL. Më herët këtë javë, filmi i titulluar “Ich Bin Margot Friedländer” (Unë Jam Margot Friedländer), i transmetuar në televizionin publik ZDF, që kombinon dramatizimet me materialet historike dhe intervistat me Friedländer, fitoi çmimin e televizionit gjerman.

Ndërkaq, rikujtojmë se kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer është zotuar të sigurojë që çdo fëmijë në Angli të mësojë për Holokaustin duke e bërë atë një lëndë të detyrueshme në shkolla. Si pjesë e rishikimit të kurrikulës së Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, shefi i qeverisë së Londrës vuri në dukje se “studimi i Holokaustit do të bëhej një pjesë kritike dhe jetike e identitetit të çdo studenti”.

Ai shtoi se “do të luftojë për ta nxjerrë vendin nga humnera e antisemitizmit”, duke e krahasuar me përvojën personale të “ndryshimit” të Partisë Laburiste. Starmer i bëri premtimet në një darkë apeli të Holokaust Education Trust, ku po ashtu premtoi 2.2 milion£ për projektin Lessons from Auschwitz. Projekti u ofron studentëve dhe mësuesve një kurs për të rritur të kuptuarit e Holokaustit, duke përfshirë një vizitë në kampin nazist të përqendrimit në Poloni dhe dëgjimin e përvojave të dorës së parë të të mbijetuarve.