Në vitet 1950, fizikanti italian Enrico Fermi deklaronte se alienëve do t’u duheshin vetëm disa dhjetëra miliona vjet për të populluar galaktikën tonë, megjithatë mungesa e takimeve të afërta midis njerëzve dhe alienëve e shtyu atë të pyeste ‘ku janë ata?’ Ky proces i të menduarit më vonë u bë i njohur si ‘Paradoksi i Fermit’ dhe ka lënë shumë shkencëtarë dhe ekspertë të përpiqen të gjejnë përgjigjen e kësaj pyetjeje.
Por dy astrobiologë janë përpjekur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje me një teori të re dhe arsyeja mund të na shtyjë të pyesim veten se sa inteligjentë dhe teknologjikisht të avancuar janë homologët tanë të huaj. Sipas një studimi të fundit të botuar në “Proceedings of the Royal Society” nga Dr.Michael Wong i Institutit Carnegie për Shkencën dhe Dr.Stuart Bartlett nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni, qytetërimet aliene mund të pengohen të përparojnë për arsye të ngjashme që pengojnë zhvillimin e qytetërimeve njerëzore.
Ashtu si njerëzit, shkencëtarët argumentojnë se qytetërimet aliene që rriten dhe zgjerohen me shpejtësi po ashtu shemben po aq shpejt, duke i penguar kështu ato qytetërime të arrijnë ndonjëherë nivelet e përparimit të kërkuar për të zhvilluar aftësinë teknologjike për të eksploruar përtej kufijve të tyre. Shumë qytetërime njerëzore në të kaluarën i janë nënshtruar vazhdimisht këtij procesi, duke përfshirë Perandorinë Romake dhe Egjiptianët e Lashtë dhe dy profesorët që qëndrojnë pas letrës thonë se qytetërimet aliene nuk bëjnë përjashtim.
E njohur në botën akademike si teoria e shkallëzimit superlinear, kjo teori mund të shpjegojë pse, në një univers prej triliona e triliona planetësh, ne ende nuk kemi hasur ndonjë jashtëtokësor. Rikujtojmë, se së fundmi Kina ka njoftuar se ka marrë mesazhe nga një qytetërim jashtëtokësor, nëpërmjet teleskopit të saj prej 180 milionë dollarësh “Sky Eye”. Revista e Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë në Kinë raportoi se ky teleskop ka marrë sinjale elektromagnetike, që shkencëtarët mendojnë se mund të kenë ardhur nga alienët. Por, postimi i ‘Science and Technology Daily’ në rrjetet sociale u fshi disa minuta më vonë, sapo u bë viral në Weibo dhe u raportua madje edhe nga televizioni shtetëror kinez.