Këtë herë “A Live Night” kthehet me një speciale për Shpat Dedën dhe koncertin e tij autorial. Histori dashurish pa fund kanë Shpat Dedën në sfond. Mes zjarrit të shkëndijave të para, oqeanit të dashurisë që rritet, dhe lotëve të humbjes, kënga e Shpat Dedës jehoi në një brez të tërë. Artisti solli koncertin e tij autorial më 19 dhe 20 maj në skenën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Me historitë e tij të dashurisë së jetuar dhe të humbur, me lotët, ëndrrat dhe ninullat ai ka zbuluar gjithçka…
Përveç muzikës, ai është edhe producent dhe ka arritur të fitojë çmimin kryesor në BAFTA. Si ishte për Shpat Dedën që t’i ripërjetonte edhe njëherë të gjitha këto kujtimet e fëmijërisë të lidhura dhe me filmin?
Unë aty kam patur rolin e producentit dhe është xhiruar një pjesë e madhe e tij në Kosovë, është një film që trajton temën e refugjatëve. Ne të gjithë kemi qenë refugjatë. Për ne ajo ka qenë koha e refugjatëve nga kriza në Siri që ishte kriza globale e refugjatëve dhe ky film e trajtonte atë. Kishte qëllimin që njerëzit që nuk ishin në atë situatë nga Perëndimi dhe që ishin paragjykues, t’i vendoste në këpucët e atyre njerëzve prandaj dhe filmi ndjek një familje të tillë. Për mua dhe për të gjithë ekipin ka qenë një mundësi dhe jemi zhytur në proces pa doreza sepse e kemi ndjerë një lloj obligimi për ta bërë këtë film duke qenë që vetë ne kemi qenë në atë situatë.
E ka pritur Shpati që do të arrinte të fitonte çmimin e rëndësishëm në BAFTA?
Të them të drejtën unë nuk e kam imagjinuar atë moment në BAFTA. Ishte shumë e madhe nuk e kam pritur kurrë që ne do ta fitojmë. Edhe kur u nonimuam isha ‘okej’. Por që do e fitonim as që më shkonte mendja plus regjisori na përgatiti që është shumë zor për të fituar. Ka qenë një moment i paharrueshëm.
Më tej Shapti ka zbuluar:
Ajo që unë kam imagjinuar është kur kam qenë në universitet në 2007 kur fillova të bëj këngët dhe fillova të mendoj që ndoshta mundem të jem këngëtar dhe kur isha duke mësuar që kisha ato pushimet e vogla ndërmjet, ulesha mbyllja sytë dhe imagjinoja veten në Top Select. Kjo mua më ka ndodhur.
Për të zbuluar më shumë rreth artistit kliko këtu.