Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, po ndërthur në radhët e ekipit pak nga pak lojtarë të cilët kanë spikatur te Shpresat apo të cilët që në moshë të re po lënë shenjë në klubet përkatëse. Kështu, prej Euro 2024 pjesë e kuqezinjve është Medon Berisha, ndërsa së fundmi ka ftuar edhe Adrion Pajazitin.
Por duket se trajneri brazilian ka piketuar një tjetër futbollist interesant për të ardhmen kuqezi. Në konferencën për mediat para fillimit të grumbullimit, Silvinjo përmendi vazhdimisht emrin e një lojtari i cili nuk është pjesë e listës, por që ai e cilësoi si :interesant për të ardhmen.
Bëhet fjalë për mesfushorin 19-vjeçar Feta Fetai, i cili është tashmë pjesë e ekipit U21 të Shqipërisë. Djaloshi po shkëlqen me Lokomotiv Zagreb ku ka marrë nofkën “Modriçi shqiptar” për rolin në fushë të ngjashëm me kroatin.
Silvinjo e ka parë nga afër lojtarin në një seancë stërvitore me Kombëtaren A në muajin e kaluar, teksa ka përsëritur të njëjtën gjë edhe në stërvitjen e parë të ndeshjeve të tetorit, ku Fetai ishte një nga lojtarët e ftuar për të plotësuar grupin kuqezi.
Një vëzhgim i mirëfilltë i lojtarit, që mund të afrojë një ftesë për të në Kombëtaren A për t’u bërë pjesë e grupit, duke pasur parasysh se që nga ky muaj, Shpresat nuk do të kenë më ndeshje zyrtare deri në vjeshtën e ardhshme.