Dilema Sociale

“E gjithë bota nën një maskë” ngjarjet e vitit 2020

“Last Night” me Eno Popin, vjen posaçërisht për të kujtuar ditët e kalendarit me ngjarjet e këtij viti dhe me një kopertinë të strukur nën maskë!

Ne Shqiptarët e kemi zakon të qajmë hallet çdo moment, por viti 2020 na bëri që të kuptojmë se kush është në të vërtetë qarja e hallit.

Në prag të mbarimit të vitit 2020, takimi i fundit në Radio për këtë vit është me Eno Popin. Nuk është një takim për të përmbushur zakonin e përvitshëm, por për rrëfyer se çfarë na solli 2020.

Urimi për një vit më të mbarë del dhe thërret me zë të lartë me forcë si asnjëherë tjetër sepse ky që po lëmë pas ishte një makth!

12 muajt e vitit nuk ishin si zakonisht sepse e nisëm me një Janar, Shkurt, Mars, COVID, COVID, COVID dhe kështu me rradhë, deri më tani… Ata që kanë jetuar luftërat botërore do ta përcaktonin më mirë ndarjen që i bëri COVID-19 njerëzimit.

Ky vit ishte lufta e botës për jetën, në kërkim të frymës me një maskë në fytyrë dhe para syve do të duronim humbjen e njerëzve të afërm apo kujtdo tjetër që jeta zhdukej nga një armik i padukshëm.

Të mos bëhemi egoistë deri në kulm, të gjithë e dimë që ishte vit i humbur, por duhet të jemi mirënjohës për gjerat elementare, për ata që kemi pranë dhe për çdo frymë sepse jeta është e shtrenjtë.

Kur ju referohemi humbjeve, përveç atyre njerëzore që janë të parikuperueshme, duhet të përmendim humbjet ekonomike botërore, të industrive, profesioneve dhe vendeve të punës i dhanë botës goditjen më të madhe. Vendet e mëdha dhe të pasura patën se si t’i përgjigjeshin kësaj. Ne patëm pagën e luftës. Sistemi arsimor kaloi online dhe Shqipëria rezultoi e fundit në Ballkan, për akses në internet dhe rezultatet e nxënësve.

Padyshim ky ishte viti i The Weeknd, Dua Lipës, Sam Smith… Në rrafsh ndëkombëtar, jo i Elvana Gjatës, që priste Eurovizionin dhe as i Arilena Arës që Karma ndoshta i beri të vetën… dhe për koicidenc kenga që çon Shqipërinë në Eurosong, quhet “Karma”, pra ky vit ishte i Anxhela Peristerit…

Por duhet të hidhemi te një kujtim i largët dhe i dhimbshëm, bëhet fjalë për zjarret masive në Australi. Ndjeshmëria që bota pati për kafshët dhe natyrën ishte globale…. Gjysmë miliardi kafshë dhe miliona hektarë i rrëmbeu flaka, por kujt ja merrte mendja se vetëm pak muaj më vonë rradhën e kishte njerëzimi!

Kur mendojmë hallet e nisjes së këtij viti tashmë në përfundim duken qesharake. Kujtojmë, largimin e Meghan Markle dhe Princ Harry nga Pallati Mbretëror vetëm me një lajmërim në Instagram dhe zemërimin e Mbretëreshës Elizabeth.

Ndërkohë OSCARS e këtij viti suprizuan po aq.  Kur të gjithë panë në kinema Jokerin, nisën tifozllëkun që ky ishte filmi më i mirë, por gara e vërtetë u bë mes 1917 dhe Parasite, ky i fundit u bë filmi i dytë i huaj qe sfidoi hapur Hollivudin.

Ndërsa mësuam se virusi erdhi nga një mutacion i lakuriqit të natës, që kinezët e hanin, siç hamë ne bakllavanë, pra gjithë qef… por kjo nuk zgjati shumë!

Nuk e dimë sa e sa mallkime kanë marrë lakuriqët e Kinës, pa i ditur ende emrin virusit, që botës ju artikulua në fund të Janarit si COVDID-19.

Europa ishte prekur dhe Italia fqinje kishte nisur rrugën për tu bërë vendi më i goditur në planet. Ne u bëmë aq krenarë se i çuam Italise nje grup infermieresh në ndihmë të COVID-19.

Ndërse ne këtu ishim në debatin nëse kishte mbërritur koronavirusi në Shqipëri apo jo?! Nuk u desh shumë dhe në 9 Mars dolën dy pacientët e parë, babë e bir një ‘peshqesh’ nga Italia.

Marsi qëllon të jetë muaji sprovë për Shqiptarët. Teksa bota sapo kishte nisur të artikulonte fjalën vaksinë, ne gjetëm kombinimin tone me raki për të mbytur mikrobin.

Ndërsa Trump nga ana tjetër e botës thoshte se mund te injektohej edhe ndonjë detergjent dhe desinfektoheshim prej së brendshmi…

Europa u mbyll në shtëpi dhe hashtagu #unërrinështëpi u bë më popullori në botë! E parë në këtë këndvështrim dukej sikur na dhanë pushime me zor, divani na priste dhe u bë gropë gjithë këtl kohë, ishin të shumtë ata që qanë me filmin “Mrekullia në qielline  7″.

Pranvera na gjeti në karantinë dhe pasditeve duartrokisnim në dritare ashtu si gjithë bota. Filluan koncertet virtuale, gatimet kudo dhe te gjithë dolën shefa dhe më të talentuarit shpërthyen në TikTok, natyrisht me budalliqe sa me shty kohën apo për të vendosur një emër influencues momental.

Në Shqipëri në fillim të prillit kurba e infektimeve nisi të shënojë një rënie. Dora dorës, përgjatë gjithë prillit dhe majit, rihapen thuajse të gjitha aktivitetet. Dhe rifilluan fluturimet. Dëshira për tu rikthyer në normalitet ishte në mendjen e çdo njeriu. Planet ngriheshin dhe rrëzoheshin prapë dhe askush nuk e dinte çfarë do të do të vinte javë pas jave, madje as për të nesërmen.

Në Parlament vlonte reforma zgjedhore vetëm e vetëm për karrige. Por ne e kemi më kollaj të kërcejmë mbi tavolina sesa të merremi vesh me njëri-tjetrin, por kjo është historia jonë shekullore.

Pranvera e këtij viti ishte me shumë diell, agresive dhe frustruese. Kujtojmë, që njerëzit nuk mbanin dot më gjatë dhe nisën të qarkullojnë. Policia me PR qeveritar nëpër media dhe online tregonte sa gjoba viheshin dhe sa ndëshkoheshin, ose sa njerëz rriheshin.

Më 18 Maj u shemb Teatri Kombëtar, sapo hapëm sytë u përballëm me përleshjet e policëve mes protestuesve. Maji i Tiranës gjeti në shesh qytetarë që edhe pse ishte kulmi i pandemisë nuk pyetën shumë dhe u dyndën mes grumbullimeve për të kërkuar drejtësi.

Ndërkohë në anën tjetër të botës, në SHBA, një tjetër përplasje masive zuri vend. Lëvizja “Black Lives Matter” në SHBA, shpërtheu pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, më 25 maj të vitit 2020. Floyd, vdiq pasi njëri prej oficerëve gjatë arrestimit të tij ia vendosi gjurin në qafë për gati 8 minuta, duke i penguar frymëmarrjen. Kaq u desh dhe revolta e zemërimi, i amerikanëve të përfshinin NY, Wasingtonin, Minesoten, Arizonen, më pas në Europë, Londër, Paris, Berlin etj.

Në mes të protestave, Britania mbajti frymën dhe bashkë me të edhe bota. Kryeministri Boris Jonson, kokfortë ashtu si Trump, injoronte hapur koronavirusin, por nuk deshi shumë kohë edhe u infektua vetë. Kaq u desh dhe bota mori një mësim, se çfarë do të thotë armik i padukshëm dhe se frymorët janë njëlloj si kryeministri, po ashtu edhe një i moshuar që i kishte orët e numëruara.

Goditja që i dha COVID-19 botës, për disa vende nuk mjaftoi… Një shpërthim masiv shkatërroi Bejrutin. Pamjet e fillim gushtit tregonin tmerrin e nje vendi që për 7-të minuta u kthye në Çernobil.

Po turizmi?! Të gjithë u sajuan për pushime anë e mbanë Shqipërisë. Sipërmarrësit në Jug të vendit, edhe këtë verë nuk patën mëshirë dhe rritën çmimet, kujt ja mbante xhepi vërshoi në Jalë, Dhërmi e Palasë mes netëve që për çmimet ishin kokë më kokë me Greqinë e Malin e Zi.

Realisht u duk sikur mori fund dhe të pyesje këdo për Vitin e Ri, e parashikonim me udhëtime, festa masive… shumë pak ishin ata që parashikonin një valë të dytë koronavirusi.

Shtatori shumfishoi rastet dhe hymë në vjeshtën më problematike për botën. Këtu nisi dorëzimi pa kushte… kjo histori kishte marrë botën para dhe 2020 u bë viti më i urryer dhe të gjithë mezi po prisnin fundin.

Por vjeshta rifilloi me sportet, shenja se hera herës normaliteti ishte aty! Futbolli pa tifozë, kinematë diku u hapën dhe shfaqjet po bëheshin në qiell të hapur, pasi koha po ngrohte si në korrik. Gjithashtu dolën edhe lajmet për vaksinën dhe filluan të bëhen më reale.

Për dashurinë, për zemrat dhe për famën, kjo ishte vjeshta e zemrave, programeve dating, sherreve për një djalë apo vajzë dhe rekordeve të shikueshmërisë në YouTube.

Mbërrin një lajm i mirë, në mesin e tetorit, bota mori lajmin se PfizerBionTech kishte dhënë rezultate optimale me mbi 90% efikasistet tek vaksina.

COVID-19 nuk kurseu as Donald Trump. Për muaj me rradhë, ai i ka minimizuar rreziqet nga COVID-19, ka përqeshur njerëzit, që përpiqeshin të mbroheshin duke mbajtur maskë, e ka shpallur sëmundjen me potencial vdekjeprurës si një shpikje të demokratëve dhe pretendon, se e gjithë kjo nuk është aq keq sa pandehet. Por mesa duket Karma bëri të vetën edhe këtu. Armiku i padukshëm nuk përzgjedh dhe këtë herë ishte Trump ai që e pësoi. E zuri edhe Melanian qe ka rreth 5 vite që mban distancim fizik nga i shoqi  por për spital u bë ky i fundit.

Kur Amerika ka zgjedhje e gjithë bota mban frymën! Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Kandidati i demokratëve, 77 vjeçar zgjidhet jo vetëm presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara, por edhe presidenti më i moshuar në historinë e vendit.

Ishte vit i mrekullueshëm ky, për shiptaren Dua Lipa, e cila është nominuar për 6 çmime në Grammy 2020. Gjithashtu u evidentua si këngëtarja më e mirë e re.

Ndërsa Ava Max firmosi me Universal për albumin e ri dhe tourin botëror vitin e ardhshëm. Rita Ora këtë vit e bëri pushim.

COVID i numëron botës statistikisht 1.8 milione të humbur. Si sot një vit më parë, ata trokisnin gotat duke ngritur dolli për vitin pasues, për vitin vdekjeprurës…

25 mjekë humbën jetën nga COVID-19. Mirënjohje për ta dhe për të gjithë punonjësit e linjës së parë në shëndetësi, që perballuan tmerrin e këtij viti.

Kushdo që nuk jeton më është një yll atje lart, dhe një arsye më shumë për të parë qiellin çdo ditë që duket edhe më i bukur…. 

Të prehen në paqe…

Kur bota po përpiqet të shohë shpresën gjithmonë e më shumë tek shkenca, VAKSINA do të jetë kryefjala nga java e parë e vitit të ardhshëm.

Tashmë e morëm një mësim, që të mos jetojmë me shumë plane, edhe pse këto të fundit janë pjesë e jetës.

Por… Çfarë do të ndodhë me botën në vitin 2021?

Këto janë parashikimet e “The Economist”

 Lufta mbi vaksinat

Diplomacia e vaksinave”, do të shoqërojë përplasjet brenda dhe midis vendeve, mbi atë se kush duhet t’i marrë ato dhe kur.

 Një rimëkëmbje ekonomike e luhatshme

Hendeku midis kompanive të forta dhe atyre të dobëta do të zgjerohet.

Më shumë tensione SHBA-Kinë

Mos prisni që Biden ta anulojë luftën tregtare me Kinën. Përkundrazi, ai do të dëshirojë të rregullojë marrëdhëniet me aleatët, për t’i zhvilluar ato në një mënyrë më efektive.

Kompanitë e vijës së frontit

Një front tjetër për konfliktin SHBA-Kinë janë kompanitë, dhe jo vetëm Huauei dhe TikTok, pasi biznesi po bëhet edhe më shumë një fushëbetejë gjeopolitike.

Pas zhvillimit të përshpejtuar të teknologjisë

Në vitin 2020, pandemia përshpejtoi përvetësimin e shumë sjelljeve teknologjike, nga video-konferencat tek blerjet në internet, puna dhe mësimi në distancë. Në vitin 2021, do të bëhet më e qartë shkalla në të cilën këto ndryshime do të mbeten ose do të kthehen pas.

Një botë ku do lëvizet më pak

Sektori i turizmit do të tkurret dhe do të ndryshojë formë, duke pasur më shumë theks tek udhëtimet brenda vendit. Linjat ajrore, zinxhirët e rrjeteve hoteliere, dhe prodhuesit e avionëve do të hasin shumë vështirësi.

 Viti i një “déjà vu-je”

Ky është vetëm një shembull se si mund të jetë viti i ardhshëm në shumë aspekte, si një kapitull i dytë i vitit 2020… (larg qoftë të jetë kështu.)

 Një këmbanë alarmi për rreziqe të tjera

Akademikët dhe analistët, shumë prej të cilëve e kanë paralajmëruar prej vitesh rrezikun e një pandemie, do të përpiqen të shfrytëzojnë rastin për t’i bindur politikë-bërësit të marrin më seriozisht rreziqe të tjera të neglizhuara më herët.

Ky ishte “Last Night” në Top Albania Radio, me Eno Popin. COVID-19 u rrotullua pas Tokës këtë vit derisa e shkundi dhe njerëzimit i ka mbetur vetëm shpresa, këtu zë vend shprehja që “Shpresa vdes e fundit”.

Gëzuar Vitin e Ri 2021!!! Eno nuk ka shfryrë ndonjëherë kaq shumë e seriozisht sa në këtë urim.