Së fundmi, David Beckham vendosi që t’i japë llogarinë e Instagramit të tij një mjekeje në Ukrainë për të raportuar punën që bëjnë 24/7 nga Kharkiv. Iryna, e cila është drejtuese e qendrës rajonale të pediatrisë dhe një anesteziste fëmijësh, postoi imazhe të qendrës në InstaStoryn e ish-futbollistit të Manchester United, Real Madrid dhe Angli, ditën e djeshme.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, David shpjegoi më tej duke thënë se:
Sot po ia dorëzoj kanalet e mia sociale Iryna-s, drejtueses së Qendrës Rajonale Perinatale në Kharkiv, Ukrainë, ku ajo po ndihmon nënat të lindin. Drejtohuni te postimet e mia për të mësuar më shumë rreth punës së mahnitshme që Iryna dhe punonjësit e shëndetësisë si ajo po bëjnë për të shpëtuar jetë në Ukrainë. Ju lutemi jepni sa mundeni për të mbështetur @UNICEF dhe njerëz si Iryna duke klikuar linkun në biografinë time.
Ndërkaq, pamjet në Instastory tregonin të porsalindurit duke u trajtuar në një bodrum, ku i është dashur të zhvendosen për t’i shpëtuar granatimeve. Iryna tha se në ditën e parë të luftës, gratë shtatzëna dhe nënat u evakuuan në bodrum.
Ishin tre orë të tmerrshme që kaluam së bashku. Fatkeqësisht, ne nuk mund t’i çojmë foshnjat që janë në kujdes intensiv në bodrum, sepse ata mbështeten në pajisje për shpëtimin e jetës.
Sjellim në vëmendje se burime pranë çiftit Beckham zbuluan për ‘MailOnline’ se ata dhuruan 1 milion paund nga paratë e tyre për nismën e bamirësisë. Dhe jo vetëm çifti Beckham. Të shumtë kanë qenë personazhet e famshëm të botës së showbiz-it dhe jo vetëm që kanë dhuruar para për Ukrainën. Aktori i njohur hollivudian Leonardo DiCaprio ka dhuruar dhjetë milionë dollarë për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Mila Kunis dhe Ashton Kutcher kanë dhuruar tre milionë dollarë për refugjatët ukrainas.
Çifti i famshëm i Hollywood-it, Ryan Reynolds dhe Blake Lively premtuan nëpërmjet një postimi në Twitter se do të dhuronin 1 milion dollarë për t’iu gjendur pranë personave që po luftojnë për të mbijetuar. Supermodelja e njohur Gigi Hadid dhuroi të ardhurat e saj në ‘Fashion Week’. Armani Group nga ana tjetër njoftoi se po i bashkohet përpjekjes së luftës me një donacion prej 500 mijë euro për UNHCR-në, Agjencinë e OKB-së për Refugjatët, për ndihmën dhe mbrojtjen e atyre që janë detyruar të ikin nga lufta në Ukrainë.