Bota

E frikshme, studimi paralajmëron miliona vdekje deri në vitin 2050!

Sipas një studimi deri në vitin 2050 më shumë se 39 milionë vetë mund të vdesin nga mikrobet rezistente ndaj antibiotikëve. Rezistenca e shumë patogjenëve ndaj antibiotikëve mund të shkaktojë deri në vitin 2050 më shumë se 39 milionë vdekje në mbarë botën. Në 169 milionë vdekje të tjera patogjenë të tillë mund të luajnë së paku një rol. Në këtë rezultat arriti studimi i një ekipi hulumtuesish të udhëhequr nga Christopher Murray nga Universitetiy of Washington në Seattle. Studimi përdori 520 milionë grupe të dhënash për të përshkruar zhvillimin e rezistencës ndaj antibiotikëve në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2021 në një model kompjuterik.

Mbi këtë bazë u krijua një parashikim për vitet e ardhshme, i cili prezantohet në revistën prestigjioze mjekësore “The Lancet”. Ndërsa numri i vdekjeve të lidhura me rezistencën tek fëmijët nën moshën pesë vjeç mundi të zvogëlohej me 50%, te njerëzit e moshës 70 vjeç e lart ai u rrit me 80%. Shtimin e rasteve tek të moshuarit studiuesit e lidhin me efektshmërinë më të ulët apo intolerancën ndaj vaksinave dhe ilaçeve tek të moshuarit, si dhe me numrin më të madh të sëmundjeve te kjo grupmoshë.

Për shkak se grupi i popullsisë mbi moshën 64-vjeçare do të rritet në vitet e ardhshme, sipas modelit edhe vdekjet e lidhura me rezistencën në përgjithësi mund të rriten deri në vitin 2050. Ekspertët paralajmërojnë prej kohësh për rritjen e rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve. Një arsye e rëndësishme për këtë është përdorimi i gabuar ose i tepruar i ilaçeve. Antibiotikët ndihmojnë vetëm kundër baktereve. Për infeksionet virale, ku bën pjesë shumica e ftohjeve, ato janë joefektive, por rekomandohen ende shpesh. Megjithatë çdo përdorim mund të çojë në shtimin e baktereve rezistente.

Bakteret nuk janë të vetmit patogjenë me mutacion për të cilët duhet të shqetësohemi. Infeksionet mykotike gjithashtu po përshtaten përtej mundësive të mjekësisë sonë, duke shkaktuar një “pandemi të heshtur” që duhet të trajtohet urgjentisht, sipas disa studiuesve. “Kërcënimi i patogjeneve fungal dhe rezistenca antimykotike, edhe pse është një çështje globale në rritje, po lihet jashtë debatit”-shpjegon biologu molekular Norman van Rhijn nga Universiteti i Mançesterit në Mbretërinë e Bashkuar. Këtë shtator, Kombet e Bashkuara do të organizojnë një takim në qytetin e New Yorkut mbi rezistencën antimikrobike, i cili përfshin diskutime mbi bakteret, kërpudhat, viruset ose parazitët rezistente.