I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë këngëtari vokalist i grupit të njohur NRG Band. Ata kanë publikuar së fundmi këngën e tyre më të re, “Aman” që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”. Për të na folur më shumë mbi këtë projekt, por dhe të tjerë që do të vijnë, ka qenë vetë Besniku…
Si lindi kënga “Aman”?
Ka qenë një histori që kur është ndërtuar kënga. Ngjarja e tekstit bazohet tek një shok i yni, ka qenë në studio që ka treguar një rrëfim të jetës së tij. Ai ka qenë marrëzisht i dashuruar me një vajzë, por në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë, shumë u larguan dhe nuk morën më vesh për njëri-tjetrin. Pas disa vitesh ata krijuan familje secili, pa pasur asnjë kontakt me njëri-tjetrin. Ky djali ka një karrocë që shet petulla në qytet, një ditë vjen një vajzë për t’i blerë fëmijëve të vet petulla. Aty shikohen dhe i dridhen gjunjët, i bien petullat nga dora. Të mendosh se do të ishte gruaja e tij po të mos ndaheshin nga lufta. Ajo ka marrë fëmijët përdore dhe ka vazhduar. Në bazë të kësaj historie ne ndërtuam këngën.