Brad Pitt dhe Inés de Ramón janë tani një çift zyrtar dhe ku tjetër mund të vihej në pah më mirë se në tapetin e kuq?! Ata u shfaqën së bashku në premierën e filmit më të fundit të Pitt, “Wolves”, gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Brad Pitt kishte veshur një xhaketë elegante të zezë, ndërsa Inés de Ramón kishte zgjedhur një fustan të bardhë, duke ndriçuar tapetin me stilin e saj të rafinuar.
Çifti parakaluan bashkë në tapetin e kuq për premierën e filmit Wolfs ku luan Pitt së bashku me aktorin George Clooney. Por, fansat e aktorit, reaguan menjëherë rrjetin social X duke u ankuar se e dashura e tij e re duket se po kopjonte stilin e ish gruas së tij, Jennifer Aniston. Disa vunë në dukje se fustani i bardhë që Ines kishte veshur në premierë është shumë i ngjashëm me fustanin e bardhë saten që aktorja e Friends e pati gjatë ceremonisë së çmimeve SAG 2020.
Madje në atë event, Jennifer Aniston u ndesh me Brad Pitt. Aniston dhe Pitt kanë qenë të martuar nga viti 2000 deri në vitin 2005. “Fytyra e saj duket si Jolie por fustani është i stilit Aniston”-shkroi një përdorues në X. “Ajo po e integron stilin e Jennifer Aniston, me siguri, shikojani fustanin! Është tipik Jen”.
Por kush është Inés de Ramón, vajza që duket se ka fituar zemrën e aktorit të njohur? Inés de Ramón është një profesioniste me një karrierë të suksesshme në fushën e bizhuterive dhe modës. Ajo është diplomuar në Universitetin e Gjenevës në vitin 2013 në administrimin e biznesit dhe ka punuar për markat prestigjioze të bizhuterive si “Christie’s’ dhe “de Grisogono”. Aktualisht, ajo është zëvendës presidente në markën e bizhuterive “Anita Ko” në Los Angeles. Përveç kësaj, de Ramón është poliglote dhe flet anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe gjermanisht.