Aktualitet

Dyshohet se vrau recepsionistin e hotelit në Dhërmi, arrestohet Gerald Shehu!

Është vënë në pranga disa orë pasi u shpall në kërkim Gerald Shehu, 43-vjeçari i cili dyshohet se ka vrarë Eraldo Nevruzi, punonjës i recepsionit në një hotel në Dhërmi, ku autori ishte bashkëpronar.

Shehu është vënë në pranga nga autoritetet helene në një aeroport të Greqisë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas minuta pas mesnate, më 6 qershor, por mister mbetet fati i recepsionistit, pasi është zhdukur.

Sipas informacioneve të deritanishme, autori dhe viktima njiheshin me njëri tjetrin. Ata jetonin të dy në Angli. Mbrëmjen e ngjarjes kriminale, ata kanë debatuar në një nga dhomat e hotelit, për arsye që ende nuk dihen.

Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, grupi hetimor ka grumbulluar provat, ndërsa policia ka marrë në pyetje 29 persona.

Si ndodhi ngjarja? 

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Dhërmi, ku recepsionisti i një hoteli është vrarë me armë zjarri pak minuta pas mesnatës, rreth orës 00:30.

Viktima është Eraldo Nevruzi, 31-vjeç nga Tirana. Ndërsa autori është identifikuar si Gerald Shehu, nga Tepelena, banues në Angli. Shehu është bashkëpronar i hotelit ku ndodhi krimi.

Sipas policisë, Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin  në një nga dhomat e hotelit dhe pasi ka zhdukur trupin, është arratisur drejt vendit fqinj, Greqisë. Ai dyshihet se doli nga hoteli rreth orës 01:00.

Dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.