Aktualitet

Dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm, shkon në 90 numri i të shtruarve në Spitalin e Bulqizës!

Vijon të shtohet numri i pacientëve që i drejtohen spitalit të Bulqizës me shenja helmimi. Korrespondenti i Top Channel, Dëfrim Karaj bën me dije se deri më tani, shifra e tyre ka shkuar në 90, nga 50 që ishte mbrëmjen e djeshme.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, iu ka bërë thirrje banorëve mos ta përdorin ujin e pijshëm deri në përgjigje të analizave pasi dyshohet që mund të jetë uji i pijshëm shkaku i helmimit, por jo vetëm, por edhe virozat.

Top Channel mëson se ka pasur përpjekje për ta fshehur këtë ngjarje ku rrezikohet jeta e banorëve nga cilësia e ujit të pijshëm në Bulqizë. Megjithatë pritet të konfirmohet arsyeja e helmimit përmes analizave përfundimtare.

Në Bulqizë, nuk është hera e parë që banorët i drejtohen spitalit për ndihmë mjekësore me shenja helmimi. Gati një vit më parë, pati një helmim masiv ku më shumë se 60 familjarë u paraqitën në qendrën shëndetësore të Gjoricës.

Edhe në janar të vitit 2021, u helmuan nga uji i pijshëm 30 persona të cilët u kuruan në qendrën e Shupenzës. Vitet e shkuara, po ashtu janë shënuar në regjistrat e spitalit pacientë të helmuar për shkak të ujit të pijshëm. E mesa duket, ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit kanë munguar për të zgjidhur këtë problematikë. Policia njofton se ka ngritur grupin hetimor për të zbardhur rrethanat e për të përcaktuar shkakun e helmimit.