Pas 30 orësh marrje në pyetje për gati katër ditë, prokurorët vendosën se kishin arsye për të akuzuar ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy për përfitim nga manipulimi i dëshmitarëve dhe komplot për të shtrembëruar rrjedhën e drejtësisë, i tha një burim nga gjyqi AFP-së.
Çështja kundër Sarkozy-t, ende një figurë me ndikim në politikën konservatore franceze, lidhet me akuzat se ai mori para nga diktatori i ndjerë libian, Moamer Kadafi për të financuar një nga fushatat e tij zgjedhore, për të cilën ai do të dalë në gjyq në vitin 2025.
Një dëshmitar kyç në atë rast, biznesmeni franko-libanez Ziad Takieddine ka pohuar se ai dorëzoi tre valixhe të mbushura me një total prej pesë milionë eurosh në vitet 2006 dhe 2007, sipas France24.
Por në vitin 2020 Takieddine tërhoqi papritur deklaratën e tij inkriminuese, duke ngritur dyshime se Sarkozy mund të ketë bërë presion mbi dëshmitarin për të ndryshuar mendje.
68-vjeçari tashmë është dënuar dy herë për korrupsion dhe tregti me ndikim në çështje të veçanta që përfshijnë përpjekje për të ndikuar një gjyqtar dhe financim fushate.
Sarkozy, i cili drejtoi Francën nga viti 2007 deri në 2012, ka apeluar kundër të dy vendimeve.
Të premten, avokatët e tij thanë në një deklaratë dërguar AFP-së se klienti i tyre do të “mbronte nderin e tij” edhe në rastin e fundit.
Të paktën nëntë persona të tjerë janë nën dyshime se kanë marrë pjesë në komplotin e supozuar, për të cilin hetuesit thanë se mund të ketë përfshirë pagesën për Takieddine.
Disa nga të dyshuarit gjithashtu besohet se kanë tentuar të korruptojnë një gjykatës libanez për të siguruar lirimin e djalit të Kadafit të mbajtur në Liban, me shpresën për ta bërë udhëheqësin libian të ndihmojë Sarkozin për të bindur gjyqësorin francez për pafajësinë e tij.
Në një transkript të deklaratave të Sarkozy-t gjatë marrjes në pyetje, të parë nga AFP, ish-presidenti tha se nuk kishte “asnjë provë materiale apo ndonjë përgjim për të më inkriminuar në këtë çmenduri”.
Nëse çështja shkon në gjyq, kjo do të jetë data e tretë e gjyqit për Sarkozy.
Përveç gjyqit të financimit të Libisë 2025, që lidhet me fushatën zgjedhore të Sarkozy-t në 2007, ai është planifikuar të dalë në gjyq muajin e ardhshëm për shkelje të pretenduar të rregullave të financimit të fushatës së vitit 2012, të cilën e humbi ndaj socialistit Francois Hollande.