Bota

Dyshime për krime në Afganistan, Australia “zhvesh” nga medaljet disa ushtarakë!

Disa komandantëve dhe ish-komandantëve të ushtrisë australiane u janë hequr medaljet, pas dyshimeve për krime lufte gjatë shërbimit ushtarak në Afganistan. Njoftimin e dha sot ministri i Mbrojtjes, Richard Marles. Gjeneralmajor Paul Brereton kreu një hetim për krime lufte ku kërkoi që komandantët të mbahen përgjegjës për sjelljen e keqe të forcave speciale të Australisë mes viteve 2005 e 2016.

Brereton doli në përfundimin se 25 ushtarë të Regjimentit të Forcave Speciale Ajrore të Australisë e të Regjimentit Komando u përfshinë në vrasjen e paligjshme të 39 afganëve.

Akuzat që janë subjekt i Raportit të Breretonit, ndoshta janë më të rëndat e krimeve australiane të luftës në historinë tonë, u shpreh Marles në Parlamentin e Australisë.

Po ashtu, Marles iu shkroi komandantëve të atyre trupave për t’i njoftuar për heqjen e medaljeve që ata  kishin pranuar në lidhje me shërbimin e tyre gjatë kohëve kur dyshohet se ndodhën ato krime. Ushtaraku i lartë nuk tregoi se sa komandantëve iu ka shkruar dhe as nuk zbuloi gradën e tyre. Kjo me pretendimin se janë në mes shkaqe sigurie.

Asnjë veteran australian nuk është dënuar për krime lufte në Afganistan. Por, ish-avokati i ushtrisë, David McBride, në muajin maj u dënua me gati gjashtë vjet heqje lirie për publikimin në media të informatave të klasifikuara, të cilat zbuluan dyshimet për krime lufte nga ushtria australiane.

Vitin e kaluar, ish-ushtari i Forcave Speciale Ajrore të Australisë, Oliver Schulz, u bë veterani i parë, i cili u akuzua për krime të luftës. Ai akuzohet se qëlloi me armë për vdekje një person që nuk ishte luftëtar. Ekzekutimi ndodhi në një fushë gruri në provincën Uruzgan, më 2012-ën.

Po më 2023-shin, një gjykatë civile konkludoi se veterani më i dekoruar i luftës i Australisë, Ben Roberts-Smith, me gjasa vrau po në mënyrë jo ligjore katër afganë në kohën kur ai ishte tetar i Forcave Speciale. Por, nuk u akuzua për ndonjë vepër penale.