Aktualitet

Dy tërmete në vend, lëkundjet u ndjenë në disa qytete!

Instituti i Gjeoshkencave dha detaje lidhur me tërmetin me magnitudë 4.4 Rihter që u shënua rreth orës 02:42 minuta të mëngjesit. Sipas të dhënave, epiqendra ishte në Ulqin, me thellësi 15 kilometra, 17 kilometra nga Lezha. Lëkundjet e tokës janë ndjerë në disa qytete të vendit si Lezhë, Shkodër, Kavajë dhe Tiranë.

Ndërkaq, më herët, Qendra Sizmologjike Europiane Mesdhetare (EMSC) bëri të ditur se një tërmet me magnitudë 4.6 i shkallës Rihtër u shënua rreth 42 minuta pas mesnate në Detin Adriatik. Epiqendra ishte 35 kilometra në veriperëndim të Durrësit, në thellësinë 7 kilometra. Në të dy rastet nuk pati të lënduar.

Kulmi i tërmeteve, në vendin tonë, shkon njëherë në 25 vjet dhe kjo tregon se Shqipëria ka një aktivitet të madh sizmik. Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7  Rihter, një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 dhe një herë në 100 vjet apo shekull, nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4. Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti verior Lezhë – Ulqin.

Gjatë një tërmeti, si fillim duhet ruajtur qetësia, të uleni menjëherë në dysheme duke mbledhur duart dhe krahët përpara se tërmeti t’ju rrëzojë, duke u ulur poshtë një tavoline apo mobiljeje që nuk mund të rrëzohet mbi ty. Kur nisin lëkundjet mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën, por dilni me kujdes nga banesa pas tërmetit.

Në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, vendi ynë ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e atyre me risk më të lartë nga dridhjet e tokës.